PortaliForumPytësoriKërkoRegjistrohuidentifikimi

Share | 
 

 Pushteti dhe Seksi

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
The Godfather
Anëtar/e
Anëtar/e


Anëtarësuar Anëtarësuar : 26/11/2010
Postime Postime : 249
Vendodhja Vendodhja : I ulur ne karrigen time
Mosha Mosha : 33

MesazhTitulli: Pushteti dhe Seksi   Fri Oct 14, 2011 9:01 pm

Pushteti dhe Seksi

nga Muhamedin Kullashi, Profesor ne Universitetin e Parisit.

Muhamedin Kullashi

Vërshimi i imazheve dhe fjalimeve për seksin në të gjithë hapësirën e komunikimit masiv, në botën e sotme, duket se ka arrit përpjesëtime aq të mëdha sa më së shpeshti flitet për një stërngopje dhe bezdi. Nuk janë të rralla kritikat moraliste e fetare që e damkosin këtë dukuri si të dëmshme, në veçanti për moralin dhe shëndetin e të rinjve. Realiteti i vdekshmërisë nga sida përdoret si mjet «pedagogjik» për të provuar dëmin dhe rreziqet që dalin nga seksi. Të tjerët që duan të mbajnë më tepër një qëndrim analitik synojnë të shpjegojnë shkaqet e gjithëpranisë së përfytyrimeve dhe imazheve të seksit. Ndërkaq, teori të tjera orvaten të ndriçojnë më shumë domethënien e këtij fenomeni për mënyrën e të jetuarit të njeriut të sotëm. Shumica e teorive që merren me këtë temë, përtej dallimeve që kanë mes veti, e kanë të përbashkët një tezë: sipas kësaj, gjithëprania e seksit në botën e sotme është rezultat i një shpërthimi, në decenitë e fundit, pas shumë shekujve të shtrëngesave, ndalesave e pengesave që religjioni dhe morali i krishterë ia kishin imponuar seksit; këto institucione paskan detyruar fshehjen, mënjanimin dhe ndrydhjen e manifestimit të aktivitetit seksual si edhe diskurset për seksin, si të turpshme. Këtë tezë e gjejmë te shumë autorë që janë marrë me historinë e filozofisë dhe të etikës, me historinë e qytetërimit perëndimor apo edhe te ata që merren me psikanalizë.
Një teori shumë të ndryshme nga interpretimi që mbështet teza e përmendur, e gjejmë te filozofi bashkëkohor Michel Foucault (Fuko). Veçanërisht në veprën e tij “Historia e seksualitetit” (e ndarë në tre vëllime: Vullneti për të ditur, përdorimi i kënaqësive dhe brenga për veten), Foucault ofron një pikëpamje origjinale për statusin e seksit në qytetërimin perëndimor. Në dallim nga shumica e interpretimeve që e reduktojnë qëndrimin e krishtërimit ndaj seksit si qëndrim thelbësisht represiv, Foucault nxjerr në dritë mekanizma subtile që janë prodhuar në historinë e Evropës së krishterë për prodhimin e «të vërtetës për seksin». Tiparin e parë të këtij qytetërimi, Foucault e shpreh me pohimin i cili vë në pah, në njërën anë, praninë permanente të temës së seksit si temë qendrore e në anën tjetër mungesën e një « arti erotik ». Kjo nuk do të thotë se në artin perëndimor ka munguar tematika e seksit, por vetëm se ka munguar arti i kultivimit të kënaqësive seksuale. Këtë art ai e gjen të pranishëm në kulturat orientale: në Kinë, Indi dhe në botën arabo-myslimane. Ky art ka hulumtuar mundësitë e shtimit të intensitetit të kënaqësive erotike e njëherit ka zhvilluar, përmes metodave ezoterike, bartjen brez pas brezi, të sekreteve për këto kënaqësi.
Në dallim nga qytetërimet orientale, qytetërimi perëndimor, sipas Foucaults, ka zhvilluar një dije shkencore për seksin – scientia sexualis, e cila dallon thellësisht nga arti erotik. Ky dallim hetohet, së pari, në faktin se krishtërimi ka kultivuar një «vullnet» për të njohur të vërtetën e seksit përmes procedurave që përbëjnë nyjën pushteti-dija (pouvoir-savoir). Teknika më karakteristike për të prodhuar të vërtetën për seksin, që ka zbuluar krishtërimi, është ajo e pranimit, i cili realizohet përmes rrëfimit. Kjo teknikë u zyrtarizua në vitin 1215, në Koncilin e Latranit. Besimtari duhet t’i rrëfej priftit, brenda një atmosfere intime, tundimet e tij të nxitura nga seksi: aktet e ndaluara (masturbimi, sodomia etj.), ëndrrat si shprehje të dëshirave të penguara, shpresat për ëndje të ardhshme. Kjo praktikë e vazhdueshme e rrëmijhes brenda subjektivitetit, e përpjekjes për të ndriçuar skutat më të errëta të brendisë së individit, për t’i nxjerrë ato në dritë përmes fjalëve të artikuluara, do të ndikojë vendosmërisht në individualizimin e individit dhe në subjektivimin e subjektit.
Mirëpo ky vullnet për të njohur sekretet e subjektivitetit të individit është i drejtuar nga një institucion pushteti, nga kisha. Kështu, sajohej nyja dija-pushteti. Për Foucault, fjala “pushtet” nuk emërton vetëm pushtetin politik qendror, por trajta të ndryshme të raporteve të forcës që sajohen, brenda një dinamike historike, në shtresa të ndryshme të shoqërisë.
Foucault kritikon iluzionin e filozofisë tradicionale, sipas së cilës, e vërteta është diçka që është plotësisht e pavarur nga pushteti, në kuptimin e gjerë, dhe se e vërteta mban lidhje burimore vetëm me lirinë e njeriut. Ai vë në pah ndërmjetësimin e trajtave të ndryshme të asaj që shikohej si e “vërtetë” nga filozofët, me struktura e dispozitive të pushtetit. Shembulli karakteristik është pikërisht pranimi përmes rrëfimit: besimtari nxjerr në shesh të vërtetën e subjektivitetit të vet para shikimit të përfaqësuesit të një institucioni që ka pushtet: “pranimi është një ritual i diskursit, ku subjekti i cili flet përputhet me subjektin e shprehjes”, ngase ai duhet të “thotë atë që është, çka ka bërë, çka fsheh, çka mendon e çka mendon se nuk mendon”. Pranimi bën të mundur të ngjizet lidhja midis seksit dhe të vërtetës, përmes rrëfimit të hollësishëm të një fshehtësie individuale.
Kështu, shekuj të tërë, e vërteta për seksin ka gjetur shprehje në këtë trajtë diskursive që drejtohet nga një strukturë pushteti. Pranimi e ndihmon individin që të zbulojë brenda vetes pengesat që e pengojnë të kuptojë dëshirat e veta. Pranimi e lehtëson individin ngase ai e ndjen veten pastaj të çliruar nga barra e mëkatit dhe fajit, ai i premton shpëtimin për botën e përjetshme.
Foucault mendon se përvojat e akumuluara, gjatë shekujve, me pranimin, ekzaminimin e ndërgjegjes dhe drejtimin e saj nga pastorët (barinjtë e shpirtit), kanë ofruar njohuri për subjektivitetin e individit, e në veçanti për seksin. Kjo traditë shumëshekullore, në Perëndim, ka bërë që pranimi të vazhdoj edhe sot e tutje të jetë “amzë e përgjithshme që drejton prodhimin e diskursit të vërtetë për seksin”. Natyrisht, pranimi ndërkohë është transformuar, ai nuk lidhet brenda mjekësisë, pedagogjisë dhe psikanalizës, me praktikën e pendimit. Ai nuk reduktohet vetëm në pranimin e akteve të ndaluara, por kërkon të ndriçojë edhe fantazmat dhe obsesionet që përcjellin veprimet seksuale, imazhet dhe dëshirat që u paraprijnë.
Në psikiatri dhe psikanalizë, pranimi i individit nuk është i përqendruar më në temat e mëkatit dhe shpëtimit, vdekjes dhe përjetësisë, por përmes një diskursi shkencor ai flet për trupin dhe për dëshirat e tij jetësore. Mirëpo, për Foucault, pranimi është bërë në botën perëndimore “njëra nga teknikat më të vlefshme për ta prodhuar të vërtetën”, në përgjithësi. Atë e hasim jo vetëm në praktikat psikiatrike e psikoanalitike, por edhe në praktikat gjyqësore e policore, në pedagogji, në raportet familjare, në raporte të dashurisë, në jetën e përditshme si edhe në ritualet më solemne. Letërsia moderne perëndimore, për Foucault, nuk mund të kuptohet pa ndriçimin e procedimeve të stërholluara të pranimit. Dhe kjo nuk vlen vetëm për romanin “psikologjik”, por për të gjitha zhanret e letërsisë.
Peshën e teknikave të moçme të pranimit i gjejmë edhe te metodat policore të marrjes në pyetje në regjimet komuniste që afishonin ateizmin. Arthur Londoni, ish-ministër i Çekosllovakisë, në librin e tij “Pranimi”, përshkruan kompleksitetin e teknikave që policia e vendit të tij i zbatonte ndaj tij gjatë qëndrimit në burg. Veç tjerave, ajo kërkoi prej tij që ta rishkruajë biografinë e tij më se 1 000 herë. Dhe asnjëra prej tyre nuk ishte plotësisht identike me tjetrën. Detyrimi i pranimit bënte që Londoni të zbulojë, çdo herë sërish, fragmente e copëza të kujtesës të strehuara në brendinë e tij.
Në fund, mund të themi se teoria e Foucaultsë duket se e shpjegon më mirë evoluimin e përfytyrimeve dhe të praktikave seksuale në qytetërimin perëndimor. Ajo vë në pah karakterin thjeshtëzues, në veçanti, të interpretimit të krishtërimit si kulture represive ndaj seksit. Disa kritikë të Foucaultsë e marrin pikërisht praktikën e pranimit si rrëfim (konfesion) sekret midis dy personave, si provë për tendencën e krishtërimit që të fshehë dhe të mbulojë seksualitetin e njeriut. Duke mos mohuar tërësisht këtë tendencë, Foucault, megjithatë e problematizon atë kritikë me këtë pyetje: “Por a nuk ishte obligimi për ta fshehur atë, vetëm një aspekt tjetër i detyrës për ta pranuar (për ta kyçur aq më mire dhe me më shumë kujdes sa më i rëndësishëm që është pranimi, që kërkon një ritual më të përpiktë dhe premton efekte më të mëdha)? Dhe mos është seksi, në shoqërinë tonë, përgjatë një rrjedhe shumëshekullore, ajo që është vendosur brenda regjimit të sigurt të pranimit?”. Në favor të kësaj pikëpamje të Foucaultsë, mund të përmendet edhe fakti se sot në shumë tryeza televizive e në shumë rubrika të shtypit, përsëriten pareshtur rrëfimet për përvojat seksuale nga më të ndryshmet. Teknika është e ngjashme, sado që rrëfimi i përvojave tani shpalohet, më shumë, para syve dhe veshëve të një publiku shumëmilionësh.

_________________
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit http://www.eja-ti.tk
 
Pushteti dhe Seksi
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
WwW.Eja-Ti.Tk :: (¯`♥´¯) SHKENCAT SOCIALE (¯`♥´¯) :: PSIKOLOGJIA-
Kërce tek: