PortaliForumPytësoriKërkoRegjistrohuidentifikimi

Share | 
 

 “Molerët” e rektorit Rugova i pret përjashtimi

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
Mondi
Bordidrejtues
Bordidrejtues


Anëtarësuar Anëtarësuar : 26/11/2010
Postime Postime : 3474
Vendodhja Vendodhja : Always where I need to be...:)
Mosha Mosha : 32

MesazhTitulli: “Molerët” e rektorit Rugova i pret përjashtimi    Thu Feb 17, 2011 11:04 pm



Prishtinë, 18 shkurt – Gjuajtja me ngjyrë në rektorin e Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova, pritet t’u kushtojë me përjashtim nga Universiteti studentëve Rron Gjinovci dhe Durim Jashari.
Dekani i Fakultetit Filologjik, Ramush Mavriqi, i ka thënë gazetës se qysh të hënën pritet të mblidhet Këshilli i këtij fakulteti dhe pas raportit të Komisionit disiplinor do të merret vendimi për përjashtimin e Rron Gjinovcit, i cili është student në vitin e parë në drejtimin e Filozofisë në këtë fakultet.
“Konsideroj se ka bazë të mjaftueshme për përjashtimin e tij. Vendimi do t’i dorëzohet studentit dhe ai ka të drejtë ankese”, ka thënë dekani Mavriqi.
Neni 156 i Statutit të Universitetit të Prishtinës përcakton obligimet e studentëve brenda UP-së, ndërsa neni 161 përcakton mundësinë e ndëshkimit me përjashtim të studentëve që bëjnë shkelje të ndryshme, përfshirë edhe ato disiplinore brenda UP-së.
Për vendimin e përjashtimit të këtyre dy studentëve ka folur edhe zëdhënësi i Rektoratit, Isuf Ibërdemaj.
Ai ka treguar se të mërkurën për këtë shkak është thirrur edhe një mbledhje urgjente e të gjitha strukturave udhëheqëse të Universitetit të Prishtinës, duke filluar me Këshillin Drejtues dhe Senatin e Universitetit.
“Kanë qenë pothuajse të njëzëshëm edhe të gjithë dekanët e fakulteteve pa përjashtim, anëtarët e Senatit dhe Këshilli Drejtues, se ata studentë duhen përjashtuar prej studimeve”, ka thënë Ibërdemaj.
Zëdhënësi i Rektoratit ka treguar se vendimi për përjashtimin e studentëve, i cili javën tjetër pritet të formalizohet, është marrë pasi që është konsideruar se akti i kryer ndaj rektorit Rugova nuk ka qenë pjesë e ndonjë shprehjeje të demokracisë, por gati sulm fizik ndaj tij.
“Ajo as nuk ka lidhje me akte demokratike, as me simbolikë, sepse nuk është simbolikë me e gjuajt njeriun me asifarë ngjyre metalike, edhe gati me e qorrua. Ata në një formë apo tjetër e kanë sulmuar fizikisht”, ka thënë Ibërdemaj, duke shtuar se akti i studentëve është bërë më i shëmtuar edhe për shkak të simbolikës për çfarë ishte duke u mbajtur ceremonia, si dhe mysafirëve të shumtë që ishin të pranishëm.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova, të martën, me rastin e shënimit të 41-vjetorit të themelimit të UP-së, ishte njollosur me ngjyrë të kuqe nga dy studentë, aktivistë të qendrës “Studim, veprim, kritikë” të “Vetëvendosjes”.
Megjithëse gjysma e fytyrës, rrobat dhe fjalimi të cilin ai e lexonte i ishin njollosur, Rugova pati qëndruar i qetë, pati falënderuar studentët dhe pati vazhduar fjalimin e tij.
Por një ditë pas asaj ngjarjeje, rektori Rugova kishte shpërthyer me akuza ndaj studentëve që e kishin njollosur, duke i quajtur ata “gjak i fëlliqur dhe kopila”.
“Ky është sulm fizik. Jam sulmuar me substanca që janë edhe kanceroze, por edhe lëndë djegëse. Ngjyra ka qenë e tretur në lëndë djegëse dhe ka mundur që prej një shkëndije të sjellë edhe flakë. Këto janë gjëra që i bën një pjesë e rinisë, e cila është gjak i fëlliqur, se me siguri dikush prej këtyre ose gjyshin a katragjyshin e ka me elemente sllave”, ka thënë Rugova, të mërkurën, gjatë një intervistë dhënë Radio-Dukagjinit.
Në anën tjetër zëdhënësi i Rektoratit, Isuf Ibërdemaj, nuk ka preferuar që ta komentojë këtë deklaratë të rektorit.
Ibërdemaj ka konsideruar se “ndoshta rektori është zënë me një moment të keq kur i ka thënë ato gjëra”, megjithatë ai e ka vlerësuar veten si jokompetent për vlerësime të deklaratave të rektorit Rugova.
Kurse kryetari i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Basri Çapriqi, ka thënë të mos e ketë dëgjuar apo lexuar këtë deklaratë të rektorit dhe me ketë nuk ka pranuar të prononcohet.
“Po tash unë nuk e kam parë atë deklaratë dhe jam duke udhëtuar e nuk mund të koncentrohem që të jap një vlerësim”, ka thënë ai, megjithëse një pjesë e deklaratës së rektorit i është lexuar nga gazeta. Edhe pas kësaj ai nuk ka pranuar të japë një vlerësim se a i takon një personi, siç është rektori, që të japë deklarata të tilla.
Kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, ndonëse ka thënë se nuk e përkrah absolutisht veprimin e studentëve kundër rektorit Rugova, deklaratat e këtij të fundit “për gjakun e fëlliqur” i ka konsideruar jo të nevojshme.
Shala fillimisht ka shprehur konsideratë të lartë për qëndrimin fillestar të rektorit Rugova, menjëherë pas ngjyrosjes së tij, ku ai kishte thënë se i kuptonte studentët dhe akti i tyre është deri diku i pranueshëm në demokraci.
“Konsideroj se deklaratat e tilla, se dikush ka gjak të fëlliqur apo me elemente sllave, janë krejtësisht të panevojshme dhe nuk është dashur të shkohet në këtë drejtim. Ata kanë bërë çfarë kanë bërë, por është e panevojshme që një rektor të thotë se dikush ka gjak të papastër apo diçka të atillë”, ka thënë Shala.
Ai konsideron se studentët nuk është dashur të dënoheshin.
Rron Gjinovci, njëri nga studentët që ka hedhur ngjyrë mbi rektorin, ka thënë për gazetën se nuk pendohet për aktin e bërë dhe me atë ai konsideron se vetëm ka manifestuar një formë të demokracisë. Komentet e rektorit se ata studentë “kanë gjak të fëlliqur dhe janë me elemente sllave”, Gjinovci i ka quajtur raciste.
Gjinovci tregon se është student i vitit të dytë në FSHMN, në drejtimin e Fizikës, nga ku edhe thotë se e ka mbërritur nivelin për të qenë bursist, ndërsa është student i vitit të parë në drejtimin Filozofi, në Fakultetin e Filozofisë, nga ku, së shpejti pritet të përjashtohet.
“Me këtë ata po mundohen t’ua mbyllin gojën atyre që guxojnë të kundërshtojnë edhe të flasin për fenomenet negative”, ka thënë ai. “Edhe nëse vendoset për të më përjashtuar, ajo do të jetë e padrejtë dhe e jashtëligjshme, nuk ka asnjë nen në statutin e Universitetit i cili më dënon për veprimin që kam bërë”.
Neni 156 i Statutit të Universitetit të Prishtinës, mes tjerash, parasheh se studentët duhet të zbatojnë rregulloret e UP-së, duhet të “respektojnë të drejtat e personelit” dhe “të sillen mirë si brenda ashtu edhe jashtë universitetit për të mos e diskredituar Universitetin e Prishtinës”.
Neni 161 thotë se “Këshilli i njësisë akademike i përjashton përgjithmonë ose përkohësisht nga Universiteti studentët që i shkelin rëndë rregullat”.
“Studentët e akuzuar kanë të drejtë të dëgjohen nga Komisioni Disiplinor, i cili këshillon Këshillin e njësisë akademike”, thuhet tutje në këtë nen.
Nëse Këshilli i Fakultetit të Filozofisë konstaton se studenti Gjinovci ka kryer një shkelje të tillë, atëherë mund të vendosë për përjashtimin e tij.
Të enjten dekani Mavriqi nuk ka dashur të komentojë nëse ngjyrosja e rektorit në vendin e tij të punës nga studentët përbën “shkelje të të drejtave të personelit” apo sjellje që “diskrediton Universitetin e Prishtinës”. Ai është arsyetuar, duke thënë se është ditë pushimi.

_________________
Ca pika shiu rane mbi qelq,
Per ty une befas ndjeva mall,
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi sa rrallë.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit http://eja-ti.top-forum.net
 
“Molerët” e rektorit Rugova i pret përjashtimi
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
WwW.Eja-Ti.Tk :: (¯`♥´¯) MË PRANË NJËRI TJETRIT (¯`♥´¯) :: PORTALI I FORUMIT-
Kërce tek: