PortaliForumiPytësoriKërkoRegjistrohuIdentifikohu
Share | 
 

 Ligji per te drejta e Autorit

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
@Nora@
Bordidrejtues
Bordidrejtues


Anëtarësuar Anëtarësuar: 31/01/2011
Postime Postime: 443
Vendodhja Vendodhja: Diku Larg

MesazhTitulli: Ligji per te drejta e Autorit   Sat Feb 05, 2011 7:03 am

LIGJ
PËR TË DREJTËN E AUTORIT

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.04.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese“, me propozim të Këshillit të Ministrave

KUVENDI POPULLOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

KREU I
MBROJTJA E SË DREJTËS SË AUTORIT

Neni 1

Ky ligj mbron veprat letrare, artistike e publiçistike dhe vepra të tjera (që këtu do të quhen thjesht “vepra“), ku futet çdo krijim origjinal intelektual i kësaj natyre, pavarësisht nga forma e shprehjes si:
a) vepra të shkruara, duke përfshirë edhe programe kompjuter;
b) leksione, fjalime, predikime, dhe vepra të tjera të shprehura gojarisht
c) vepra muzikore, me ose pa tekst shoqërues;
ç) vepra teatrale ose teatrale-muzikore;
d) vepra koreografike dhe pantomima;
dh) vepra audovizuale;
e) vepra të arteve të bukura: vizatime, piktura, skulptura, gdhendje e litografi;
ë) vepra arkitektonike;
f) vepra fotografike;
g) vepra të artit të aplikuar
gj) Ilustrime, harta, plane, skica, dhe vepra tredimensionale në fushën e gjeografisë, të fotografisë, arkitekturës dhe shkencës.
Mbrojtja nuk varet nga nga mënyra a forma e të shprehurit, cilësia dhe qëllimi i veprës..
Në mbrojtje nuk përfshihen idetë, proçedurat, proçeset, sistemet, mënyrat e veprimit, konceptet, parimet a zbulimet e shprehura të parashikuara ose të shpjeguara në vepër.

Neni 2
Vepra dhe leksione të prejardhura
Gëzojnë të njëjtën mbrojtje si veprat edhe:
a) përkthimet, përshtatjet, sistemimet dhe transformime të tjera të veprave e të materialeve folklorike;
b) përmbledhjet e veprave, të shprehjeve popullore ose thjesht të dhënat e faktet, si enciklopedi, antologji dhe burime të dhënash të tjera që janë origjinale për nga natyra e përzgjedhjes dhe e sistemimit.
Mbrojtja e veprave të përmendura të përmendura në paragrafin e parë bëhet pa cënuar mbrojtjen ndaj veprave bazë, që përdoren për krijimin e veprave të prejardhura.

Neni 3
Mbrojtja që parashikon ky ligj për veprat letrare e artistike, nuk aplikohet për:
a) përmbledhëset e gazetat zyrtare të karakterit legjislativ e administrativ dhe përkthimet zyrtare të tyre;
b) shprehjet popullore;
c) lajmet e ditës;
ç) thjesht faktet e të dhënat.

Kreu II
TË DREJTAT QË GËZOJNË MBROJTJE

Neni 4
Të drejtat morale të autorit

Autori i veprës ka të drejtë të kërkojë, përveç të drejtave ekonomike që parashikohen në nenin 5 të këtij ligji, dhe sikur ato të drejta të jenë transferuar me vullnetin e tij, edhe:
a) autorësinë e veprës, veçanërisht të drejtën që emri të shkruhet në kopjet e veprës dhe, kur e lejon praktika e sipas traditës, t‘i bashkangjitet veprës, kur kjo përmendet publikisht;
b) të mbetet anonim ose të përdorë një pseudonim;
c) të kundërshtojë çdo lloj shtrembërimi, heqje a ndryshim dhe çdo veprim tjetër përçmues ndaj veprës, gjë që do të cënonte nderin dhe emrin e tij;
ç) të kundërshtojë bashkautorësinë e vendosur në mënyrë arbitrare nga të tjerët për shkaqe të ndyshme.
(Të drejtat e radhitura në këtë nen, këtej e tutje do të quhen “të drejta morale“).

Neni 5
Të drejtat ekonomike të autorit
Autori ka të drejtën eksluzive mbi veprën e tij që të lejojë:
a) riprodhimin e veprës;
b) importimin e veprës në vend, me qëllim shpërndarjeje (shitjeje, marrjeje me qira, dhënieje me qira, dhënieje hua) për publikun;
c) përkthimin e veprës;
ç) përgatitjen e përshtatjeve, të sistemimeve a transformimeve të veprës;
d) shfaqjen a deklarimin e veprës para publikut;
dh) komunikimin e veprës për publikun me anë të trasmetimit ose ritransmetimit;
e) transmetimin e veprës për publikun me kabllo a mjet tjetër.
Autori i një vepre audiovizuale, ose i çfarëdo vepre tjetër, si fonogram, program kompjuteri, bankë informacioni dhe i çfarëdo vepre që lexohet me aparaturë, ka të drejtën eksluzive të lejojë dhënien me qira ose hua të veprës së tij.
(Të drejtat e radhitura në këtë nen, këtej e tutje do të quhen “të drejta ekonomike“).

Vijon ne mesazhet e ardhshme..............

Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
@Nora@
Bordidrejtues
Bordidrejtues


Anëtarësuar Anëtarësuar: 31/01/2011
Postime Postime: 443
Vendodhja Vendodhja: Diku Larg

MesazhTitulli: Re: Ligji per te drejta e Autorit   Sat Feb 05, 2011 7:04 am

KREU III
KUFIZIMET E TË DREJTAVE EKONOMIKE

Neni 6
Riprodhimi i lirë me qëllim përdorimi vetjak

Lejohet riprodhimi i një vepre të botuar, sipas ligjeve, vetëm për përdorim vetjak (duke përfshirë këtu edhe përdorimin për qëllime kërkimore, shkencore dhe pedagogjike) pa lejen e autorit dhe pa pagesë a shpërblim.
Paragrafi i parë nuk zbatohet për:
a) riprodhimin e veprave arkitekturore në formën e ndërtesave a të ndërtimeve të tjera
b) riprodhimin reprografik të veprave të arteve të bukuratë botuara në sasi të kufizuara; paraqitja grafike e veprave muzikore (fletë muzike) dhe e fletoreve me shënime ose e botimeve të tjera të paracaktuara për qëllim të vetëm përdorimi;
c) riprodhimin e programeve kompjuterike, me përjashtim të rasteve të paraqitura në nenin 13;
ç) çdo riprodhim tjetër që do të binte në kundërshtim me proçesin e shfrytëzimit të veprës dhe do të dëmtonte interesat legjitime të autorit.

Neni 7
Riprodhimi i lirë në formën e citimit
Lejohet, pa pëlqimin e autorit dhe pa pagesë a shpërblim, të citohet një vepër e botuar sipas ligjit në një vepër tjetër, por gjithmonë duke shkruar detyrimisht burimin dhe emrin e autorit, po qe se është në veprën origjinale, me kusht që citimi të jetë i ndershëm, i saktë dhe të mos tejkalohet qëllimi i përdorimit.

Neni 8
Përdorimi i lirë për mësimdhënie
Lejohet, pa pëlqimin e autorit dhe pa pagesë a shpërblim, por duke përmendur detyrimisht burimin dhe emrin e autorit, po qe se është vepër origjinale:
a) të përdoret një vepër e botuar sipas ligjit për ilustrime në botime, trasmetime dhe regjistrime të zërit e të figurës për mësimdhënie;
b) të riprodhohen, me mjete reprografike artikuj të veçuar të botuar sipas ligjit në një gazetë a revistë; pjesë të shkruara të shkëputura nga një vepër e botuar sipas ligjit, ose një vepër e plotë e shkurtër e botuar sipas ligjit, për mësimdhënie a për provime në institucione shkollore, veprimtaria e të cilave nuk ka qëllim të drejtpërdrejtë a të tërthortë fitimin komercial, me kusht që përdorimi të jetë gjithnjë i ndershëm.

Neni 9
Riprodhimi i lirë nga biblotekat dhe arkivat
Lejohet, pa pëlqimin e autorit dhe pa pagesë a shpërblim, riprodhimi i një vepre në një kopje nga një bibliotekë ose arkiv, veprimtaria e të cilëve nuk ka për qëllim të drejtpërdrejtë a të tërthortë fitimin komercial. Kopja në fjalë mbetet në koleksionin e përhershëm të bibliotekës a të arkivit, me qëllim:
a) ruajtje dhe, po të jetë nevoja (në rast humbjeje, shkatërrimi ose daljeje jashtë përdorimi), edhe zëvendësimi;
b) Zëvendësimi i një kopjeje (të humbur, të shkatërruar a të dalë jashtë përdorimi) për koleksion të përhershëm të një biblioteke ose arkivi tjetër.
Këto veprime kryhen nëse blerja e kopjes origjinale është e pamundur për një periudhë kohe të gjatë dhe në kushte të arsyeshme.

Neni 10
Riprodhimi i lirë për qëllime legale dhe administrative
Lejohet, pa pëlqimin e autorit dhe pa pagesë a shpërblim, riprodhimi i një vepre për përdorim në një proçes gjyqësor ose proçesetë tjera administrative në masën e përligjur nga qëllimi.

Neni 11
Përdorimi i lirë me qëllim dhënieje informacioni
Lejohet, pa pëlqimin e autorit dhe pa pagesë a shpërblim, por duke përmendur detyrimisht burimin dhe emrin e autorit, po qe se është në veprën origjinale:
a) të riprodhohet e të shpërndahet me anë të shtypit, trasmetimit a komunikimit për publikun me kabllo, një artikull i botuar në një gazetë a revistë me temë ekonomike, politike apo fetare ose një vepër tjetër e trasmetuar, në rastet kur e drejta e riprodhimit, e trasmetimit ose e një komunikimi të ngjashëm për publikun nuk është shprehimisht e kufizuar;
b) të riprodhohet dhe t‘i jepet publikut, në raste kur jepen lajme për një ngjarje të ditës, një vepër e parë ose e dëgjuar gjatë asaj ngjarjeje, me anën e fotgrafisë, kinematografisë, trasmetimit a komunikimit me kabllo, pa kaluar masën e qëllimit informativ;
c) të riprodhohen në shtyp, në trasmetime ose në mjete të tjera të komunikimit masiv, leksione, fjalime, predikime dhe vepra të tjera të një natyre të ngjashme me to, të mbajtura në vende publike, si dhe fjalimet e mbajtura gjatë një proçedure ligjore, me qëllim dhënieje informacioni (pa tejkaluar qëllimin informativ), në një kohë që autorët në fjalë ruajnë të drejtën e botimit të përmbledhjeve të veprave të tilla.

Neni 12
Përdorimi i lirë i fotografive të veprave të vendosura në vende publike

Lejohet, pa pëlqimin e autorit dhe pa pagesë a shpërblim, riprodhimi, trasmetimi ose komunikimi për publikun me kabllo, i një fotografie të një vepre arkitektonike, arti të bukur, vepre fotografike ose vepre arti të aplikuar, të vendosur në një vend publik (sheh, rrugë, park, etj.), me përjashtim të rasteve kur fotografia është tema kryesore e riprodhimit, transmetimit a komunikimitdhe kur përdoret për qëllime komerciale.

Neni 13
Riprodhimi i lirë dhe përshtatja për programe kompjuteri

Lejohet, pa pëlqimin e autorit dhe pa pagesë a shpërblim të veçantë, që pronari ligjor i një programi kompjuteri të bëjë një kopje a përshtatje të një programi të tillë, me kusht që kjo kopje a kjo përshtatje:
a) të jetë ë domosdoshme për përdorimin e programit të kompjuterit për qëllimin, për të cilin është marrë kompjuteri në rrugë ligjore;
b) të përdoret për arkiva dhe, po të jetë nevoja (në rastet kur kopjet humbasin, shkatërrohen ose dalin jashtë përdorimit), të zëvendësohet kopja e marrë në rrugë ligjore.
Kopja ose përshtatja, të përmenduara në paragrafin e parë, shkatërrohen, në rastet kur pronësia e kopjeve të programit të kompjuterit nuk është më e ligjshme.

Neni 14
Zbërthimi i lirë i programeve të kompjuterëve

Pëlqimi i autorit nuk është i detyrueshëm kur riprodhimi i kodit dhe përshtatja (“përkthimi“)
Janë të domosdoshme për marrjen ë të dhënave të nevojshme për ndërveprimin e një programi kompjuteri të krijuar në mënyrë të pavarur me programe të tjera, por vetëm kur plotësohen kushtet e mëposhtme:
a) Kur ky veprim kryhet me anë të liçencës, ose nga një person tjetër që ka të drejtë të përdorë kopjen e programit, apo nga një person tjetër i autorizuar;
b) Kur të dhënat e nevojshme për ndërveprim nuk u janë dhënë më parë personave të përmendur në paragrafin “a“;
c) Kur këto veprime kufizohen në ato pjesë të programit origjinal, që janë të domosdoshme për krijimin e aftësisë ndërvepruese.
Dispozitat e paragrafit të parë ndalojnë përdorimin e këtyre të dhënave:
a) për qëllime të tjera, veç atij të aftësisë ndërvepruese të programit të kompjuterit të krijuar në mënyrë të pavarur;
b) për dhënie personave të tretë, me përjashtim të rasteve kur kjo gjë është e domosdoshme për aftësinë ndërvepruese të programit të kompjuterit të krijuar në mënyrë të pavarur;
c) për përdorimin e të dhënave për zhvillimin, prodhimin adhënien ë një programi kompjuteri të ngjashëm përsa i përket mënyrës së shprehjes, ose për ndonjë qëllim tjetër që cënon të drejtën e autorit.
Dispozitat e këtij neni nuk duhet të interpretohen në mënyrë të tillë që të lejojnë zbatimin e tij në një formë që bie ndesh me shfrytëzimin normal të programit të kompjuterit, ose dëmtimin e interesave të ligjshme të autorit.

Neni 15
Regjistrimi i lirë i përkohshëm nga organe trasmetuese

Një organ trasmetues mund të regjistrojë për përdorim të përkohshëm, me mjetet e tij, një vepër, për të cilën ai e gëzon këtë të drejtë pa pëlqimin e autorit dhe pa shpërblim të posaçëm. Ky organ është i detyruar ta shkatërrojë regjistrimin në fjalë brenda gjashtë muajve që nga koha e marrjes, përveç rasteve kur është rënë dakort me autorin e veprës për një afat më të gjatë. Megjithatë një regjistrim i tillë mund të ruhet në arkiva zyrtare edhe pa një marrëveshje të tillë, kur ka vlera të veçanta dokumentare a historike.

Neni 16
Shfaqja e lirë publike

Lejohet pa pëlqimin e autorit dhe pa pagesë a shpërblim, shfaqja publike e një vepre gjatë një veprimtarie a një institucioni shkollor, përgatitur nga vetë personeli, po qe se spektatorët janë thjeshtë personeli dhe studentët e institucionit, prindërit ose kujdestarët e studentëve, si dhe persona të tjerë që kanë lishje të drejtpërdrejtë me institucionin.


-------------------------Vijon ne mesazhet e ardhshme..............

Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
@Nora@
Bordidrejtues
Bordidrejtues


Anëtarësuar Anëtarësuar: 31/01/2011
Postime Postime: 443
Vendodhja Vendodhja: Diku Larg

MesazhTitulli: Re: Ligji per te drejta e Autorit   Sat Feb 05, 2011 7:04 am

Kreu IV
KREU IV

KOHËZGJATJA E MBROJTJES

Neni 17
Kohëzgjatja e mbrojtjes

Përveç rasteve të përcaktuara ndryshe në këtë kre, e drejta morale ruhet përgjithmonë dhe e drejta ekonomike e një vepre ruhet gjatë gjithë jetës së autorit dhe 50 vjet pas vdekjes së tij.

Neni 18
Kohëzgjatja e mbrojtjes së veprave me autorësi të përbashkët.

Të drejtat morale dhe ekonomike të një vepre anonime ose me një pseudonim ruhen për 50 vjet që nga dita e botimit të parë të ligjshëm të veprës. Nëse identiteti i autorit zbulohet para afatit të kësaj date, zbatohen sipas rastit, dispozitat e neneve 17 dhe 18.

Neni 19
Kohëzgjatja e mbrojtjes së veprave kolektive, fotografike dhe audiovizuale

Të drejtat morale dhe ekonomike të një vepre kolektive fotografike e audiovizuale ruhen 50 vjet që nga data kur kjo vepër i është dhënën në mënyrë të ligjshme publikut ose në rast të kundërt, për 50 vjet që nga data e prodhimit të veprës, pra 50 vjet pas krijimit të saj.

Neni 20
Kohëzgjatja e mbrojtjes së veprave të artit të aplikuar

Të drejtat morale dhe ekonomike të veprës së artit të aplikuar mbrohen gjer në krye të 25 vjetëve nga dita e prodhimit.

Neni 21
Llogaritja e afateve

Çdo kohëzgjatje në këtë kre shkon deri në fund të vitit kalendarik.

-------------------------Vijon ne mesazhet e ardhshme..............

Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
@Nora@
Bordidrejtues
Bordidrejtues


Anëtarësuar Anëtarësuar: 31/01/2011
Postime Postime: 443
Vendodhja Vendodhja: Diku Larg

MesazhTitulli: Re: Ligji per te drejta e Autorit   Sat Feb 05, 2011 7:05 am

Kreu V
KREU V

PRONËSIA E TË DREJTAVE TË AUTORIT

Neni 22
Pronësia e të drejtave të autorit

Autori i një vepre është pronar i parë i të drejtave morale dhe ekonomike mbi veprën e tij.

Neni 23
Pronësia e të drejtave për vepra me bashkautorë.

Bashkautorët e një vepre me autorësi të përbashkët janë bashkpronarët e parë të të drejtave morale dhe ekonomike të veprës së tyre. Por, nëse një vepër me bashkautorë mund të ndahet në pjesë më vete (pra, nëse pjesët e saj mund të riprodhohen, ruhen, ose të përdoren veç e veç), atëherë bashkautorët kanë të drejta të pavarura për pjesë të tilla të veprës, duke ruajtur bashkpronësinë e të drejtave për veprën e përbashkët.

Neni 24
Pronësia e të drejtave për veprën kolektive

Pronari i parë i të drejtave morale dhe ekonomike të një vepre kolektive do të jetë personi fizik a juridik, me iniciativën dhe nën drejtimin e të cilit është krijuar vepra dhe me emrin e të cilit ka dalë.

Neni 25
Pronësia e të drejtave për veprat e krijuara në bazë kontrate pune

Në rastin e veprës së krijuar nga një autor për një person fizik a juridik (në vijim do të quhen “punëdhënës“ ) me kontratë pune dhe gjatë kohës së punësimit, pronari i parë i të drejtave morale dhe ekonomike do të jetë autori, veç rasteve kur në kontratë është parashikuar ndryshe. Të drejtat ekonomike për një vepër të tillë do të quhet se i janë kaluar punëdhënësit në masën e nevojshme për veprimtaritë e duhura që punëdhënësi kryen në kohën e krijimit të veprës.

Neni 26
Pronësia e të drejtave për vepra audiovizuale

Në rastin e veprave audiovizuale, pronari i oarë i të drejtave ekonomike do të jetë prodhuesi i një vepre të tillë.

Neni 27
Marrja e autorësisë

Me qëllim që autori i një vepre të njihet si i tillë, në mungesë të provave të kundërta dhe rrjedhimisht të ketë të drejtën për shkeljen e proçeduarave, do të jetë e mjaftueshme që emri të ketë dalë në vepër në mënyrën e zakonshme.
Në rast të një vepre anonime ose të një vepre me pseudonim botuesi ka për detyrë ta përfaqësoje autorin, kur s‘ka provë të kundërt dhe, me këtë cilësi, ka të drejtë të mbrojë dhe të kërkojë respektimin e të drejtave të autorit. Ky paragraf nuk ka fuqi vepruese, kur autori zbulon vetveten dhe provon pretendimin për autorësinë e veprës.

Neni 28
Prezumimi i së drejtës së prodhuesit

Personi fizik ose juridik, emri i të cilit del në një vepër audiovizuale në mënyrë të zakonshme si prodhues, do të quhet prodhues i një vepre të tillë në mungesë të provës për të kundërtën.


-------------------------Vijon ne mesazhet e ardhshme..............

Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
@Nora@
Bordidrejtues
Bordidrejtues


Anëtarësuar Anëtarësuar: 31/01/2011
Postime Postime: 443
Vendodhja Vendodhja: Diku Larg

MesazhTitulli: Re: Ligji per te drejta e Autorit   Sat Feb 05, 2011 7:05 am

Kreu VI
KREU VI

KALIMI I TË DREJTAVE DHE LICENCAVE

Neni 29
Kalimi i të drejtave

Kalimi i të drejtave ekonomike mund të bëhet me caktim midis të gjallëve, me dispozita të trashigimnisë ligjore ose me testament.
Të drejtat morale nuk kalohen midis të gjallëve, por mund të kalohen me dispozitat e trashigimnisë ligjore ose me testament.

Neni 30
Liçencat

Autori i një vepre mund t‘u lëshojë liçencë të tjerëve për të kryer veprime që përfshihen në të drejtat e tij ekonomike. Liçenca të tilla mund të jenë liçenca jopërjashtimore ose liçenca përjashtimore.
Liçenca jopërjashtimore i jep të drejtë liçencëmarrësit të kryejë veprime lidhur me autorin dhe me liçencëmarrës të tjerë jopërjashtimorë sipas normave që i lejohen atij.
Liçenca përjashtimore i jep të drejtë liçencëmarrësit të kryejë veprime që kanë të bëjnë me përjashtimin e të tjerëve, duke përfshirë edhe autorin, sipas normave që i lejohen atij.
Asnjë liçencë nuk do të quhet liçencë përjashtimore, veç rasteve kur përcaktohet shprehimisht në një kontratë ndërmjet autorit dhe liçencëmarrësit.

Neni 31
Forma e kontratave për transferime dhe liçenca

Kontratat për transferimin e të drejtave ekonomike dhe për liçencat përjashtimore, për të kryer veprime që mbulohen nga të drejtat ekonomike, bëhen me shkrim.

Neni 32
Qëllimi i transferimeve dhe i liçencave

Transferimi i të drejtave ekonomike dhe i liçencave, për të kryer veprimet e parashikuara nga të drejtat ekonomike, mund të kufizohet për të kryer disa veprime specifike, si dhe lidhur me kohën, qëllimin, shtrirjen territoriale, gjerësinë dhe mënyrat e mjetet e shfrytëzimit.
Mospërmendja e territorit, në të cilin transferohen të drejtat ekonomike ose jepet liçenca për të vepruar sipas të drejtave ekonomike, konsiderohet si kufizim i transferimit ose liçencës brenda vendit në të cilin është dhënë transferimi.
Mospërmendja e shtrirjes, e mënyrave dhe mjeteve të shfrytëzimit, për të cilat është bërë transferimi i të drejtave ekonomike ose është dhënë liçenca për të kryer veprime brenda të drejtave ekonomike, konsiderohet si kufizim i transferimit ose i liçencës për një shtrirje të tillë, për mjete dhe mënyra të tilla shfrytëzimi, që janë të nevojshme për qëllimin e parashikuar, kur jepet e drejta e transferimit ose i liçencës.

Neni 33
Tjetërsimi i origjinaleve ose i kopjeve të veprave. Transferime dhe liçenca lidhur me të drejtën e autorit në vepra të tilla.

Nëse autori tjetërson origjinalin ose një kopje të veprës së tij, në rast se nuk ka dispozita të kundërta në kontratë, atëherë në këtë veprim ai nuk konsiderohet se ka bërë kalimin e të drejtave ekonomike, ose ka dhënë liçencë për të kryer veprime që përfshihen në të drejtat ekonomike.
Pavarësisht nga paragrafi i parë, blerësi i ligjshëm i një origjinali ose kopjeje të një vepre, nëse në kontratë për një blerje të tillë nuk specifikohet ndryshe, ka të drejtën e ekspozimit të një origjinali të tillë apo kopjeje drejtpërdrejt në publik. Privilegji i përmendur në paragrafin e dytë nuk përfshin personat që kanë marrë në posedim origjinalet ose kopjet e një vepre me anë huazimi, qiradhënieje ose mënyra të tjera, pa qenë pronarë të një origjinali ose kopjeje të tillë.


-------------------------Vijon ne mesazhet e ardhshme..............

Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
@Nora@
Bordidrejtues
Bordidrejtues


Anëtarësuar Anëtarësuar: 31/01/2011
Postime Postime: 443
Vendodhja Vendodhja: Diku Larg

MesazhTitulli: Re: Ligji per te drejta e Autorit   Sat Feb 05, 2011 7:05 am

Kreu VII
KREU VII
MBROJTJA E SHFAQEVE, FONOGRAMEVE DHE PROGRAMEVE

Neni 34
Veprime që kërkojnë autorizimin e ekzekutuesëve

Pa autorizimin e ekzekutuesëve asnjë person nuk mund të kryjë veprimet e mëposhtëme:

1. Trasmetimin e programeve të tyre, përveç rasteve kur programet përbëhen:
a) nga një regjistrim i shfaqes, pa përfshirë regjistrimet e bëra sipas kushteve të nenin 39;
b) nga një ritrasmetim të autorizuar nga organizata, që ka trasmetuar programin e parë.

2. Dhënien për publik të shfaqes së tyre, veç rasteve kur dhënia përbëhet:
a) nga një regjistrim i programit;
b) nga një trasmetim i shfaqes.

3. Regjistrimin e shfaqes së paregjistruar
4. Riprodhimin e një regjistrimi të shfaqes së tyre, në secilin prej rasteve të mëposhtëme:
a) kur shfaqja është e regjistruar më parë më parë me autorizimin e tyre;
b) kur riprodhimi bëhet për qëllime të tjera, ndryshe nga ato për të cilat ekzekutuesin kanë dhënë autorizimin e tyre;
c) kur shfaqja është regjistruar fillimisht në përputhje me dispozitat e nenit 35, por prodhimi është bërë për qëllime të tjera nga ato që përmneden në atë nen;

Në mungesë të një marrveshjeje kontratuare, që parashikon të kundërtën , ose të rrethanave të punësimit, nga të cilat del normalisht e kundërta:

a) autorizimi për të transferuar nuk nënkupton autorizimin për të lëshuar liçencë për organizata të tjera që të trasmetojnë këtë shfaqe.
b) Autorizimi për të trasmetuar nuk nënkupton një autorizim për regjistrimin e shfaqes;
c) Autorizimi për regjistrim të shfaqes apo riprodhim të regjistrimit nuk nënkupton një autorizim për trasmetimin e shfaqes;
ç) autorizimi për të trasmetuar dhe regjistruar shfaqen nuk nënkupton një autorizim për riprodhim dhe regjistrim.

Që nga çasti kur ekzekutuesit kanë dhënë autorizimin e shfaqes për përfshirjen e shfaqes së tyre në një regjistrim vizual a audiovizual dispozitat e paragrafëfe të parë e të dytë, shkronjat “c“ dhe “ç“ nuk veprojnë.

Asnjë paragraf i këtij neni nuk iu heq të drejtën ekzekutuesëve për të bërë kontrata me kushte e klauzola më të favorshme për shfaqjet e tyre.

Mbrojtja sipas këtij neni mbaron në krye të 50 vjetëve, duke filluar nga fundi i vitit në të cilin është dhënë shfaqja.

Neni 35
Akte që kërkojnë autorizimin e prodhuesëvetë fonogramëve

Pa autorizimin e prodhuesëve të fonogramëve, asnjeri nuk mund:
a) të riprodhojë drejtpërdrejtë apo tërthorazi fonogramin e tij
b) të importojë ndonjë kopje të fonogramit të tij
c) të japë hua ose të lëshojë me qira kopje të fonogramit të tij.

Mbrojtja e përmendur në paragrafin e parë mbaron në fund të periudhës 50 vjeçare, duke filluar nga fundi i vitit, kur fonogrami është prodhuar për herë të parë.

Neni 36
Shpërblimi për prodhimin e fonogramëve

Nëse një fonogram i botuar për qëllime komericiale, ose riprodhimi i një fonogrami të tillë, përdoret drejtpërsëdrejti për trasmetim ose për t‘iu dhënë publikut, atëherë përdoruesi i paguan prodhuesit sipas marrëveshjes një shpërblim për ekzekutuesit dhe prodhuesit e programit.
Nëse ndërmjet ekzekutuesëve dhe prodhuesit nuk ka marrëveshje, atëherë gjysma e shumës së marrë nga prodhuesi do t‘iu paguhet ekzekutuesëve nga ana e prodhuesit.
Detyrimi për shpërblim mbaron në krye të 50 vjetëve, duke filluar nga fundi i vitit në të cilin fonogrami u riprodhua për herë të parë.

Neni 37
Veprime që kërkojnë autorizimin o organizatave transmetuese

Pa autorizimin e organizatave transmetuese një person nuk mund të bëjë veprimet e mëposhtëme:
1. Ritransmetimin e programeve të tyre.
2. Regjistrimin e programeve të tyre
3. Riprodhimin e një regjistrimi të programeve të tyre:
a) kur regjistrimi, nga i cili është kryer një riprodhim, është bërë pa autorizimin e tyre;
b) kur transmetimi është regjistruar fillimisht në përputhje me dispozitat e nenit 39. Kur riprodhimi është kryer për qëllime të ndryshme nga ato, për të cilat është bëhet fjalë në këtë nen.

Mbrojtja sipas këtij neni përfundon në krye të 50 vjetëve, duke filluar që nga fundi i vitit në të cilin është bërë transmetimi.

Neni 38
Kufizime për mbrojtjen

Nenet 35, 36, dhe 37 të këtij ligji nuk zbatohen kur veprimet e përmendura në to janë bërë:
a) për përdorimprivat, mësimdhënie ose kërkime shkencore, me kusht që një përdorim i tillë të mos bjerë në kundërshtim me shfrytëzimin normal (të një shfaqeje, fonogrami apo transmetimi) dhe kurdoherë pa dëmtuar në masë të madhe interesat ligjore të pronarëve të të drejtave, që jepen me dispozitë në këtë kapitull;
b) për dhënien e lajmeve aktuale, me kusht që të përdoren vetëm pjesë të shkurtëra të një shfaqeje, të një fonogrami ose të një transmetimi;
c) për citate, në forma të shkurtra nga një shfaqje, një fonogram ose një transmetim, me kusht që këto citate të përputhen me praktikën e zakonshme të qëllimit informativ të këtyre citateve;
ç) për qëllime të tjera të tilla, që përfshihen në kufizimet për të drejtat ekonomike në veprat letrare dhe artistike sipas Kreut III.

Kërkesat për autorizim në nenet 35, 36 dhe 37 të sipërpërmendur për të bërë regjistrimet e e shfaqeve dhe transmetimeve, për të riprodhuar regjistrime të tilla dhe për të riprodhuar fonograme të botuara për qëllime komerciale nuk merren parasysh, kur regjistrimi nga riprodhimi është bërë prej një organizate transmetuese me anë të mjeteve të veta dhe për programet e veta, vetëm në rast se:

a) lidhur me çdo transmetim të regjistrimit të një shfaqeje ose të një riprodhimi të bërë prej saj, sipas këtij paragrafi, organizata transmetuese ka të drejtën për të transmetuar pikërisht këtë shfaqje;
b) Lidhur me çda transmetim të regjistrimit të një shfaqeje ose të një riprodhimi të bërë prej saj, sipas këtj paragrafi, organizata transmetuese ka të drejtën të transmetojë pikërisht këtë program;
c) lidhur me çdo regjistrim të bërë, sipas këtij paragrafi ose të një riprodhimi prej saj, regjistrimi i çdo prodhimi prej saj shkatërrohet brenda gjashtëdhjetë ditëve, përveç kopjes së vetme, e cila mund të ruhet vetëm për qëllime arkivimi.

Neni 39
Shenja për mbrojtjen e fonogrameve

Si kusht për mbrojtjene fonogrameve, parashikuar nga nenet 35 dhe 36 të këtij ligji, të gjitha kopjet e fonogrameve të botuara dhe ambalazhimet e tyre duhet të kenë një shënim me shenjën “P“ (shkronja “P“ e brendashkruar në një rreth), të shoqëruar me datën dhe vitin e botimit të parë, me qëllim që të paralajmërohet se është prodhim i mbrojtur. Nëse kopjet ose ambalazhet e tyre nuk e identifikojnë prodhuesin a blerësin e patentës nga prodhuesi, duke dhënë emrin, markën e prodhimit ose shënime të tjera, atëherë shënimet duhet të përfshijnë emrin e pronarit të të drejtave të prodhimit. Kur kopjet ose ambalazhet e tyre nuk identifikojnë ekzekutuesit kryesorë, ateherë shënimi duhet të përfshijë emrin e personit që ka të drejtën e autorësisë së këtyre ekzekutuesëve, sipas kushteve të këtij ligji.

Neni 40
Fusha e zbatimit

Mbrojtja e ekzekutuesëve sipas dispozitave të neneve 35 dhe 36 të këtij ligji është e zbatueshmë kur:
a) ekzekutuesi është më shtetësi shqiptare;
b) shfaqja është dhënë në territorin e Shqipërisë;
c) Shfaqja është regjistruar në një fonogram, i cili përfshihet në të drejtat e mbrojtjes sipas paragrafit të dytë;
ç) shfaqja, e cila nuk është regjistruar në fonogram, përfshihet në një testament që ka të drejtën e mbrojtjes sipas paragrafit të tretë.

Mbrojtja e fonogrameve sipas neneve 36 dhe 37 zbatohet kur:
a) selia e organizatës ndodhet në Shqipëri;
b) programi është transmetuar nga një stacion që ndodhet në Shqipëri.

Ky ligj zbatohet edhe për shfaqjet, fonogramet dhe programet që duhet të mbrohen në përputhje me konventat ku bën pjesë Shqipëria.


-------------------------Vijon ne mesazhet e ardhshme..............

Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
@Nora@
Bordidrejtues
Bordidrejtues


Anëtarësuar Anëtarësuar: 31/01/2011
Postime Postime: 443
Vendodhja Vendodhja: Diku Larg

MesazhTitulli: Re: Ligji per te drejta e Autorit   Sat Feb 05, 2011 7:06 am

KREU VIII
ADMINISTRIMI KOLEKTIV I TË DREJTAVE TË AUTORËVE DHE I TË DREJTAVE TË TJERA

Neni 41
Agjencia për mbrojtjen e të drejtave të autorëve

Për aq kohë sa të drejtat e autorëve dhe të drejtat e tjera nuk do të ushtrohen nga vetë ata, administrohen nga një shoqëri kombëtare etë drejtave të autorëve dhe të drejtave të tjera, e cila më poshtë do të quhet “agjenci“. Kjo agjenci do të jetë i vetmi person juridik në Shqipëri për drejtimin administrativ kolektiv të të drejtave të autorëve. Ajo do të administrojë gjithashtu të drejtat e autorëve të panjohur ose të humbur.

Neni 42
Aktet që rregullojnë veprimet e agjencisë

Agjencia mbështet veprimtarinë e saj mbi këtë ligj dhe mbi akte të tjera nënligjore, si dhe mbi rregulloren e saj të brendëshme të miratuar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Neni 43
Pranimet në agjenci

Agjencia pranon për bashkpunim të gjithë autorët, trashëgimtarët e tyre, botuesit, prodhuesit e disqeve, të kasetave a të filmave dhe ata që kanë autorësinë. Atributet prerogative të agjencisë përcaktohen me votim të hapur në Asamblenë e përgjithshme të saj e cila do të funksionojë sipas rregullores së brendëshme, të hartuar nga agjencia dhe të miratuar nga ministri.

Neni 44
Përcaktimi tarifave

Pagesa e tarifave për autorët dhe poseduesit paguhen sipas tarifave që që rregullohen me proçedurën e mëposhtme:
a) tarifat caktohen pas diskutimit me autorët dhe shoqatën përkatëse të poseduesëve të të drejtave materiale të autorësisë që janë të interesuar për këtë tarifë;
b) rregullorja për tarifat do të zbatohet vetëm pasi të jetë miratuar nga ministri i Kulturës, i Rinisë dhe i Sporteve;
c) rregullorja mbi tarifat të jetë e publikuar;

Neni 45
Kriteri i administrimit të të ardhurave

Agjencia administron në mënyrë rreptësisht të barabartë të gjitha të drejtat që i janë dhënë a besuar. Ajo respekton parimin që çdo anëtar të marrë ojesën që i takon nga përdorimi i veprës.
Këto honorare do të shpërndahen çdo vit, çdo 6 ose 3 muaj për secilin autor apo bashkëautor.
Agjencia mbikqyret nga ministri i Kulturës, i Rinisë dhe i Sporteve. Përfaqësuesit e autorizuar prej tij asistojnë në mbledhjet e agjencisë dhe ndërhyjnë vetëm në rast të shkeljeve të akteve normative që rregullojnë veprimtarinë e saj

Neni 46
Funksionet e agjencisë së autorëve

Agjencia e autorëve kryen këto veprime:
a) hyn në bisedime për kushtet dhe honoraret që do të paguhen dhe lëshon autorizime për veprime që përfshihen në të drejtat ekonomike përjashtimore të administruara prej agjencisë;
b) mbledh honoraret për autorizimet e përmenduara në pikën (a);
c) u shpërndan autorëve honoraret e mbledhura

Kryen veprimtari të tjera, për të cilat është e autorizuar nga autorët në përputhje me nenin 48 për ushtrimin e të drejtave ekonomike përjashtimore që administron.

Neni 47
Garancitë për funksionimin e agjencisë së autorëve

Administrimi i të drejtave sipas nenin 46 nuk duhet të kufizojë të drejtat ekonomike përjashtimore të administruara nga agjencia e autorëve. Për të garantuar parandalimin e kufizimeve të tilla, të gjitha vendimet për metodat e rregullat e mbledhjes dhe të shpërndarjes së honorareve, si dhe për aspekte të tjera të rëndësishme të veprimtarisë administrative të agjencisë, merren nga autorët që mbrohen nga agjencia.
Autorëve, të drejtat e cilëve administrohen nga agjencia u jepet informacion i rregullt, i plotë dhe i hollësishëm për veprimtarinë e agjencisë së tyre, me qëllim që të ushtrojë të drejtat e tyre.
Pa autorizimin e autorëve, të drejtat e të cilëve administrohen drejtpërdrejt ose nëpërmjet përfaqësuesëve të tyre, asnjë honorar i mbledhur nga agjencia e autorëve nuk mund të përdoret për qëllime të tjera, përveç qëllimeve që kanë të bëjnë me mbilimin e kostos aktuale të administrimit të të drejtave në fjalë dhe shpërndarjes së pjesës së honorareve, që mbeten pas zbritjes së kostos së sipërpërmendur.
Sasia e honorareve të mbledhura nga agjencitë e autorëve, pas zbritjes së kostos aktuale administrimit dhe zbritjeve të mundshme që autorët e autorizojnë, u shpërndahet autorëve në përpjestim sa më të drejtë me përfitimin aktual të veprave të tyre.

Neni 48
Administrimi kolektiv i të drejtave për shfaqjet, fonogramet dhe programet

Të drejtat e shfaqjeve, fonogrameve dhe programeve të parashikuara në KREUN VII (nenet 42 dhe 49) do të zbatohen me rezervën që vlerat ndryshojnë dhe që nuk janë të fiksuara një herë e përgjithmonë (mutatis mutandis).

Neni 49
Pozita e autorëve të huaj

Veprat e autorëve të huaj mbrohen sipas dispozitave të këtij ligji dhe konventave ndërkombëtare, në të cilat ka aderuar Republika e Shqipërisë.

-------------------------Vijon ne mesazhet e ardhshme..............

Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
@Nora@
Bordidrejtues
Bordidrejtues


Anëtarësuar Anëtarësuar: 31/01/2011
Postime Postime: 443
Vendodhja Vendodhja: Diku Larg

MesazhTitulli: Re: Ligji per te drejta e Autorit   Sat Feb 05, 2011 7:06 am

KREU IX
MASAT DHE SANKSIONET NE RAST SHKELJESH TË TË DREJTAVE TË TË PËRCAKTUARA NË KËTË LIGJ

Neni 50
Autori ose personat që në mënyrat e përcaktuara nga ky ligj kanë fituar të drejtën e tyre mbi një vepër, kur në ushtrimin e këtyre të drejtave pengohen ose konstatojnë se dikush tjetër i ka përfituar ato padrejtësisht, kanë të drejtë t‘i drejtohen gjykatës.
Gjykata shqyrton çështjen në bazë të normave të përcaktuara në këtë ligj dhe në përfundim vendos për të drejtat morale, ashtu edhe për ato ekonomike mbi veprën.
Pas denoncimit të autorit, agjencisë së autorëve ose të ndonjë shoqate të tyre ndaj personit që ka përvetësuar të drejtat morale a ekonomike mbi një vepër të krijuar në kuptimin e këtij ligji, fillon ndjekja penale sipas dispozita të përcaktuara në Kodin Penal.
Çështja penale pushon, kur një gjë të tillë e kërkon autori krijues i veprës.

-------------------------Vijon ne mesazhet e ardhshme..............

Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
@Nora@
Bordidrejtues
Bordidrejtues


Anëtarësuar Anëtarësuar: 31/01/2011
Postime Postime: 443
Vendodhja Vendodhja: Diku Larg

MesazhTitulli: Re: Ligji per te drejta e Autorit   Sat Feb 05, 2011 7:06 am

KREU X
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 51
Fusha e zbatimit

Dispozitat e këtij akti i referohen:
a) veprave të autorëve që janë me shtetësi shqiptare, ose me banim të përhershëm në Shqipëri;
b) veprave që janë botuar për herë të parë në Shqipëri, pavarësisht nga kombësia a vendbanimi i autorëve.
Ky akt vlen:
a) vepra të pabotuara, ose të botuara për herë të parë në një vend të huaj nga autorë me kombësi të huaj e me vendbanim të përhershëm në një vend të huaj, në rastet kur vendi ku banon autori, ose kur veprat janë të botuara, vendi ku janë botuar për herë të parë ofron të njëjtat masa mbrojtëse për autorë me kombësi shqiptare apo me banim në Shqipëri për veprat e tyre të pabotuara ose të botuara për herë të parë në Shqipëri;
b) vepra që do të mbrohen në Shqipëri në bazë e në përputhje me konventat ndërkombëtare, në të cilat ka aderuar edhe Shqipëria.

Neni 52
Akte nënligjore për zbatimin e ligjit

Ngarkohet Këshilli i Ministrave, Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sporteve, Komiteti i Shkencës dhe i Teknikës si dhe Ministria e Arsimit të hartojnë aktet nënligjore përkatëse për zbatimin e këtij ligji.

Neni 53
Nenet 315 deri 328 të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë shfuqizohen

Neni 54
Ky ligj hyn në fuqi menjëherë.

Tiranë, më 19.5.1992
Nr.i ligjit: 7564.

Shpallur me dekretin nr. 192, datë 23.5.1992 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë
Sali Berisha

-------------------------Vijon ne mesazhet e ardhshme..............

Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
@Nora@
Bordidrejtues
Bordidrejtues


Anëtarësuar Anëtarësuar: 31/01/2011
Postime Postime: 443
Vendodhja Vendodhja: Diku Larg

MesazhTitulli: Re: Ligji per te drejta e Autorit   Sat Feb 05, 2011 7:07 am

LIGJ
Nr. 8826, datë 5.11.2001

PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR.7564, DATË 19.5.1992
“PËR TË DREJTËN E AUTORIT“

Në mbështetje të neneve 78, 81 pika 1 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e një deputeti.

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Në ligjinin nr. 7564, datë 19.5.1992 “Për të drejtën e autorit“, bëhen këto shtesa:

Neni 1
Në fund të nenit 50 shtohet Neni 50/1 me këtë përmbajtje:

Neni 50/1
Përbëjnë kundravajtje administrative shkeljet e mëposhtëme:

a) përdorimi i pronësisë artistike, nga subjekte fizike dhe juridike, pa lejen e autorit ose pa kontratë me shoqërinë e mbrojtjes së të drejtave të autorëve, shqiptarë dhe të huaj, në respektim të marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara nga Republika e Shqipërisë.
b) Mospagimi në afat i detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i kontratave ose autorizimeve midis autorëve shqiptarë ose të huaj ose shoqërisë që mbron që mbron të drejtat e tyre, me përdoruesit e pronësisë artistike.

Neni 2
Në fund të Nenit 50/1 shtohet Neni 50/2 me këtë përmbajtje:

Neni 50/2
Shkeljet e parashikuara në nenin 50/1 të këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, quhen kundravajtje administrative dhe dënohen me gjobë nga inspektorët e kontrollit të Policisë Tatimore në përbërje të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Këta inspektorë, përveç vjeljes së gjobave që parashikohen më poshtë, i detyrojnë përdoruesit të bëjnë edhe arkëtimin e të drejtës së autorit sipas këtij ligji. Gjobat janë si vijon:

1. Gjobë 100 000-400 000 lekë për përdoruesit e mëdhenj, si radiot dhe televizionet kombëtare, hotelet, prodhuesit (botuesit) e kasetave, videokasetave, kompaktdisqeve (CD), si dhe përdorues të tjerë të pronësisë artistike në fushat e letërsisë, arteve vizuale e fotografisë artistike.
2. Me gjobë nga 50 000-150 000 lekë për përdoruesit e mesëm, si radiot dhe televizionet lokale, diskotekat, pianobaret, restorantet me pistë për vallëzim, pubet, operatorët e internetit, telebingot, dhe lojërat e tjera të fatit që zhvillohen me spektakle, sallat me destinacion tjetër, si Pallati i Kongreseve, stadiume ose pallate sporti të lojërave me dorë, kur jepen me qira për koncerte.
3. Me gjobë nga 25 000-90 000 lekë për përdoruesit e vegjël, si kafenetë, baret, restorantet, tavernat, hotelet, motelet, dhe sallat e gjimnastikës aerobike.

Neni 3
Në fund të nënit 50/2 shtohet Neni 50/3 me këtë përmbajtje:

Neni 50/3
Gjobat e vjelura nga përdoruesit e pronësisë artistike në kundërshtim me ligjin kalojnë gjashtëdhjetë për qind në Buxhetin e Shtetit dhe dyzet për qind në llogari të shoqërive të autorëve.

Neni 4
Në fund të nenit 50/3 shtohet Neni 50/4 me këtë përmbajtje:

Neni 50/4
Ministri i Financave nxjerr udhëzim për mënyrën e kontrollit të përdoruesëve të pronësisë intelektuale nga organet e Policisë Tatimore.

Neni 5
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.3149, datë 16.11.2001 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani

Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
 

Ligji per te drejta e Autorit

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
WwW.Eja-Ti.Tk ::  :: -