PortaliForumPytësoriKërkoRegjistrohuidentifikimi

Share | 
 

 Pëllumbi: Berishës i duheshin të vrarët për skenarin e grushtit të shtetit

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
The Godfather
Anëtar/e
Anëtar/e


Anëtarësuar Anëtarësuar : 26/11/2010
Postime Postime : 249
Vendodhja Vendodhja : I ulur ne karrigen time
Mosha Mosha : 33

MesazhTitulli: Pëllumbi: Berishës i duheshin të vrarët për skenarin e grushtit të shtetit    Thu Jan 27, 2011 9:46 pm

Ish-kreu i Parlamentit flet për 21 janarin, duke i ftuar socialistët të mos i tremben presioneve të Kryeministrit

Ish-kreu i Parlamentit shqiptar, njëkohësisht “profesori” i socialistëve, Servet Pëllumbi, jep në një intervistë për “Shqip”, pikëpamjet e tij në lidhje me atë çfarë ndodhi përballë godinës së Kryeministrisë më 21 Janar. Duke mos fshehur impresionet kontradiktore për pamjet që çdo shqiptar i përjetoi me ankth, Pëllumbi del në konkluzionin se ishte provokacioni i policisë që solli kthimin e situatës në irrituese dhe të tepruar. Por nga ana tjetër, pas përfundimit të saj, Pëllumbi shprehet i sigurt se të quash atë demonstratë një “grusht shteti” është një nonsens teorik dhe politik. Ish-kryetari i Parlamentit del në konkluzionin personal që tre personat që humbën jetën në Bulevard ishin pjesë e një skenari të mirëmenduar nga Berisha, për të bërë atë që po bënë aktualisht, akuzat se Edi Rama organizoi një grusht shteti. Por socialisti i vjetër thekson se PS është një parti me një eksperiencë të çmueshme dhe se “presionet” e Berishës do të injorohen nga lidershipi i saj. Përsos këndvështrimeve për situatën, Pëllumbi “këshillon” opozitën që tashmë t’i kthehet politikës për të gjetur edhe gjuhën e dialogut me palën tjetër.

Z.Pëllumbi, cili është impresioni juaj për ngjarjet e 21 janarit? Opozita e konsideron dhunën e protestuesve ndaj policisë të ardhur si rezultat i një provokimi, ndërsa nga ana tjetër, mazhoranca e quajti një grusht shteti të organizuar nga PS për marrjen e pushtetit përmes dhunës. Si do t’i komentonit këto pozicione të kundërta?

Impresionet e mia për demonstratën e 21 janarit janë të shumta dhe disi kontradiktore. Nga njëra anë më bëri përshtypje pjesëmarrja e madhe në demonstratë, gjë që do të thotë se jemi një shtet demokratik, por me kulturë politike të polarizuar, me kriza legjitimiteti dhe me përçarje të thella sociale dhe politike. Nga ana tjetër, mënyra e zhvillimit të demonstratës, nxori në pah pakënaqësitë në rritje të shumicës së popullsisë së vendit që përfaqësohej në të, si dhe mungesën e përvojës në mobilizimin e menaxhimin e pakënaqësisë popullore në raport me qeverisjen e vendit.

Kështu, një lloj dhune simbolike të ushtruar nga demonstruesit mbi policinë, të zhveshur nga teprimet, mund ta shohësh si komponent të protestës, si shprehje të drejtpërdrejtë të pakënaqësisë popullore dhe të kritikës së hapur për keqqeverisjen e vendit, gjë që kërkon reflektime, ndryshime të thella e të shpejta. Por, pas provokimit nga ana e policisë që vuri shpejt e shpejt në përdorim bombat me gaz lotsjellës dhe “topat e ujit”, ajo u shndërrua në një rrahje masive, irracionale, me shkulje të pllakave të bulevardit për t’i përdorur si “mjet goditës” etj. Në këtë rast ajo u bë irrituese dhe e tepruar.

Për sa i përket etiketimit nga pala qeveritare të demonstratës së 21 janarit si “grusht shteti i organizuar nga Edi Rama”, më duket një nonsens teorik dhe politik. Nuk ka në PS, aq më pak në nivelin e lidershipit të tij, naivë politikë që të besojnë se në demokraci pushteti mund të merret dhe të mbahet me dhunë. Për më tepër në një vend anëtar të NATO-s dhe me një popull që gati në unanimitet shprehet për anëtarësim në BE. Në favor të këtij arsyetimi do të shtoja edhe dy rrethana të tjera: Politika shqiptare, falë Berishës, tashmë e ka përvojën negative të një grushti shteti më 14 shtator 1998, kur ai mori Kryeministrinë, Radio-Televizionin Shqiptar, kur rrëmbeu tanket dhe autoblindat e Gardës dhe kishte 90% të demonstruesve të armatosur, por në të vërtetë nuk bëri gjë tjetër veçse i shtoi vetes një aventurizëm që do ta ndjekë si hije gjithë jetën. Tani mendoj, me sa duket, se i erdhi në dorë të akuzojë për të njëjtën gjë Edi Ramën për t’u harruar rasti i tij! Jo, z. Berisha nuk bëhen grushtet e shtetit me “bashibozhukë”, siç i quajte demonstruesit e 21 janarit, as nga disa dhjetëra njerëz që në duar kanë ndonjë shkop a gurë përballë një shteti të tërë. Edhe pse e tepruan dhe nuk e mbështes kurrsesi përdorimin e dhunës, qoftë dhe për arsyen e thjeshtë se e kam pësuar mbi kurriz dhunën tuaj!

Për më tepër, çdo fjalor politik që të hapësh, do të shohësh, se rrëzimi i menjëhershëm, i dhunshëm dhe i paligjshëm i qeverisë, pra grushti i shtetit, bëhet zakonisht nga ushtria ose nga një pjesë e saj, apo nga grupe të armatosura, shpesh i paraprirë nga trazira të përhapura dhe të zgjatura. Prandaj do t’u thosha: Mos vazhdoni në naivitetin apo keqdashjen tuaj të shoqëruar me kërcënimin për “ndëshkime ekzemplare” ndaj kreut të opozitës, për ta njëjësuar demonstratën e 21 janarit me grushtin e shtetit, sepse PS, me një histori 20-vjeçare, që lufton për votën e lirë dhe të ardhmen demokratike të Shqipërisë, edhe pse në mënyrë të natyrshme mund të ketë gabimet e veta, nuk e intimidoni dot me grushte shteti e alibi të tjera me prova qesharake që meritojnë veç “injorim ekzemplar”!

A mendoni se kjo situatë do të kishte ndodhur në rast se në krye të demonstruesve do të ishin përfaqësuesit e Partisë Socialiste?

Partitë politike, si rregull, bëjnë mitingje politike dhe PS-ja vetëm pas zgjedhjeve të 28 qershorit ka bërë një zinxhir mitingjesh tepër masive që kanë qenë model organizimi pa shkaktuar as konfrontime dhe as dëmtimin më të vogël mjedisor. Pra, ka përpunuar një kulturë e traditë të veçantë. Demonstrata e 21 janarit ishte diçka tjetër, që u drejtohej të gjithë atyre që kishin halle, pakënaqësi, që janë të papunë, të pabukë, që e ndiejnë veten të margjinalizuar, të braktisur nga shteti, që kanë humbur besimin dhe nuk shkojnë pas asnjë partie politike. Partia Socialiste dhe forcat e tjera opozitare vetëm e mbështetën nismën e tyre. Ndërkohë, duke ndjekur zhvillimin e ngjarjeve, them se partitë e drejtuesit e tyre nuk duheshin shkrirë në turmë, apo të qëndronin mënjanë, veçanërisht, kur siç thuhet, “situata doli nga dora”. Kam mendimin se po të kishin dhënë një ndihmë më konkrete për menaxhimin e demonstratës në të gjitha etapat e zhvillimit të saj, mbase, disa teprime duhej dhe mund të ishin mënjanuar. Gjithsesi, më e pakta, ajo që ndodhi do parë si një mësim më tepër, sepse siç tha me të drejtë më 22 janar, Aleksandër Arvizu, ambasadori amerikan në Tiranë, “faji mjafton për të gjithë”. Logjikë që nuk përjashton gjetjen e fajtorit kryesor…

Në demonstratë u vranë 3 qytetarë, të cilët sipas pamjeve të shfaqura nga media nuk po tentonin të futeshin brenda ambienteve të Kryeministrisë, madje dy prej tyre ndodheshin në një distancë të konsiderueshme nga gardhi rrethues i këtij institucioni. Si e gjykoni këtë akt?

Kjo është ana më tragjike dhe më errët e demonstratës së 21 janarit, si dhe përgjegjësia më e madhe e shtetit në një shoqëri demokratike. Me sa duket në skenarin e Berishës për të akuzuar PS-së dhe personalisht kryetarin e saj z. Rama për organizimin e një grushti shteti, duheshin edhe të shtëna armësh, edhe një numër viktimash, edhe shpallje “heronjsh”…! Shpreh keqardhjen time të thellë për humbjen e jetëve të pafajshme, pikërisht në kohën kur demonstrata ishte në fundin e saj dhe viktimat ishin më tepër në rolin e soditësit. Gjithsesi, është detyrë e hetimit që të nxjerrë në dritë rrethanat e këtij krimi, përgjegjësit dhe fajtorët. Ata që thonë se më i rëndësishëm është hetimi i “Puçit”, sesa vrasjet e 21 janarit, gabojnë shumë rëndë. Ashtu siç gabojnë kur mohojnë tejkalimin në përdorimin e fuqisë nga forcat e rendit për të përligjur ndarjen absurde në kriminelë (demonstruesit) dhe heronj (mbrojtësit), që mund të ketë pasoja të rënda për kohezionin social të popullit.

Prokuroria e Tiranës për këto vrasje ka prerë 6 urdhra-ndalimi për kuadro komanduese të Gardës së Republikës. Ky urdhër nuk është zbatuar nga policia dhe pas deklaratave politike të krerëve të qeverisë, urdhri nuk ka më gjasa të zbatohet deri tani. Cilët organe dhe aktorë duhet të ndërhyjnë, sipas mendimit tuaj, që ky ngërç të kapërcehet?

Në këtë çështje mpleksen shumë gabime e përgjegjësi për shkelje të rënda kushtetuese që sintetizohen përsëri te një emër, te S. Berisha. Në “skemën error”, por imagjinare të tij, figuron edhe institucioni i Prokurorisë e posaçërisht i Ina Ramës, Prokurores së Përgjithshme si pjesë e “grushtit të shtetit 2R”. Roli i “R-së” së dytë qenka vendimtar për të kaluar, në rast dështimi të “Planit A” drejt e te “Plani B”, që parashikuaka, as më shumë dhe as më pak, lënien pa mbrojtje të institucioneve duke arrestuar “heronjtë”, krerët e Gardës së Republikës! Në këtë mënyrë është po irracionalizmi emblematik i Berishës, që bërtet: “Edvin Kristaq Rama nuk të hap rrugë, nuk të hap rrugë”!, “Kështjellën time nuk guxon kush ta prekë”! Ndërkohë, hapi “frontin e dytë” atë të luftës polici-prokurori që çon në njësimin e shtetit me një “gardë pretoriane”. Pas vrasjes së demonstruesve, kjo radhitet më e rënda në çuarjen e gjërave në ekstrem nga Berisha.

Si mund të kapërcehet, pyesni ju? Njëra rrugë, ajo kushtetuese, do të ishte dorëheqja e Berishës për shkelje të rëndë të Kushtetutës, tjetra motivimi i Prokurorisë në të drejtën e saj dhe bashkëpunimi me gjyqësorin, sepse kultura e pandëshkueshmërisë që po vazhdon, e varros përfundimisht demokracinë. Njëherësh, dhe roli më aktiv dhe më i vetëdijshëm, pas kësaj, i mbarë opinionit demokratik, i shoqërisë civile dhe i mediave nën moton: “Demokracia në rrezik”! “Ndal regjimit autoritarist”! “Jo frikës”! “Luftë pa kompromis kundër korrupsionit”!

Para ca ditësh, mazhoranca votoi e vetme në një seancë urgjente ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për ngjarjet e 21 janarit dhe një rezolutë për dënimin e dhunës ndaj institucioneve shtetërore. Në këtë komision pritet të hetohet edhe veprimtaria e Prokurorisë dhe SHISH-it në kuadër të këtyre ngjarjeve, pas akuzave që bëri Kryeministri Berisha. Si i shikoni këto nisma dhe çfarë produkti pritet që të sjellin ato?

Për të kompletuar skenarin dhe nënshtrimin e institucioneve Berishës i duhej mbledhja urgjente e Parlamentit, i bindur që opozita nuk do të merrte pjesë, që të rreshtonte zyrtarisht prokurorinë dhe SHISH-in në grupin e puçistëve, që hetimi i 21 janarit të bëhet nga një gjysmë komisioni parlamentar dhe që më pas të “përligjen” ndryshimet në këto institucione që ka kohë që i kërkon dhe që i janë hedhur poshtë si antikushtetuese. Në këtë mënyrë shpërfytyrohet edhe njëherë ligji mbi komisionet hetimore parlamentare dhe vetë Parlamenti vihet në funksion të një njeriu e të një pushteti, të pushtetit të Kryeministrit. Demokracia merr kështu një goditje tjetër vdekjeprurëse, por e shoqëruar nga një demagogji paranoiake tepër e rrezikshme për të mbuluar dështimet në fusha të tjera.

PS, ndërkaq, ka shpallur bojkotin e çdo veprimtarie parlamentare deri në momentin që sipas saj do të vendoset drejtësi për të vrarët. Po kështu, ditën e premte është paralajmëruar një tjetër demonstratë e opozitës. Nga ana e kryetarit të PS-së kërkohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat, sipas tij nuk mund të kryhen me Berishën Kryeministër. Cili është qëndrimi juaj për këto aksione të PS-së dhe çfarë mund të bëjë një parti për të menaxhuar këtë situatë?

U bë mirë që u bojkotua seanca e jashtëzakonshme e Parlamentit ditën e diel më 23 janar, por nuk di në se do të ketë ndonjë dobi bojkotimi pa kufizim i një tribune të tillë si Parlamenti, ku PS-ja ka 64 deputetë dhe “mazhoranca” është e mbërthyer nga kriza e skandaleve të korrupsionit që nuk duhen harruar! Kam mendimin që në situatën e re të krijuar, kur duket se nuk ka më vend për pika kontakti midis palëve, PS dhe partitë e tjera opozitare duhet detyrimisht t’i kthehen politikës, normave demokratike dhe institucioneve duke menduar me kujdes hapat që do të hedhin bashkërisht dhe veç e veç, si dhe duke iu ruajtur retorikës dhe deklaratave maksimaliste apo me dy kuptime që nxitim iniciativa e lëvizje ekstremiste.

Si e shikoni qëndrimin e ambasadorëve në lidhje me ngjarjet e ngjeshura që kanë ndodhur ditët e fundit në vend? Po atë të Presidentit Topi?

Të gjithë ndihemi mirë kur miqtë tanë, në rastin e dhënë ambasadorët e vendeve të NATO-s, të SHBA-së, BE-së, të KE-së, të OSBE-së, shqetësohen bashkë me ne për ngërçet tona politike dhe përpiqen, në emër të qeverive që përfaqësojnë, të japin ndihmesen e tyre të vyer. Megjithatë, do të thosha se gjuha e tyre diplomatike sikur nuk po kuptohet nga politikanët tanë. As tani që jemi vend anëtar i NATO-s dhe na u refuzua kërkesa për statusin e vendit kandidat për në BE. Mbase, kërkohet që një rrethanë e tillë të mbahet më mirë parasysh edhe prej tyre, sepse kanë shumë më tepër mundësi për të njohur shkaqet reale të sjelljes politike konfliktuale të protagonistëve kryesorë të politikës shqiptare, por edhe sepse nga kjo vazhdojnë të vuajnë njerëzit e thjeshtë të cilëve, nga njëra anë, u jepen liri e të drejta, ndërsa nga ana tjetër u cungohen në përmasa të frikshme për të mbajtur të ndezur potencialet konfliktuale që u mundësojnë politikanëve riciklimet në një pushtet të korruptuar. Për sa i përket Presidentit Topi, edhe pse kompetencat e tij janë të cunguara, përsëri mund të lozë një rol më aktiv, sidomos nëpërmjet Këshillit të Sigurimit Kombëtar dhe pushtetit gjyqësor. Por themelore është që shqiptarët e pavarësisht nga ndarjet partiake, e kanë marrë tashmë mesazhin e demokracisë dhe do të dinë ta mbrojnë atë me pjesëmarrjen dhe votën e tyre. Mund edhe të vonojë, por kurrsesi nuk do të mungojë një rol i tillë që në zgjedhjet e majit 2011.

_________________
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit http://www.eja-ti.tk
 
Pëllumbi: Berishës i duheshin të vrarët për skenarin e grushtit të shtetit
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
WwW.Eja-Ti.Tk :: (¯`♥´¯) MEDIA DHE POLITIKA (¯`♥´¯) :: POLITIKA MBARSHQIPTARE :: :: LAJME NGA SHQIPËRIA-
Kërce tek: