PortaliForumPytësoriKërkoRegjistrohuidentifikimi

Share | 
 

 HISTORIA E RILINDJES KOMBETARE

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
Shko tek faqja : Previous  1, 2
AutoriMesazh
Mondi
Bordidrejtues
Bordidrejtues


Anëtarësuar Anëtarësuar : 26/11/2010
Postime Postime : 3474
Vendodhja Vendodhja : Always where I need to be...:)
Mosha Mosha : 32

MesazhTitulli: Re: HISTORIA E RILINDJES KOMBETARE    Sat Dec 25, 2010 10:52 pm

Kryengritja e vitit 1847 në Shqipërinë e Jugut

Në Shqipërinë e Jugut Porta e Lartë e shpalli me bujë Tanzimatin (dekretin e Gjylhanesë) më 1845, në një ceremoni të organizuar në Janinë. Por kishte vite që vendi po i ndiente pasojat shkatërrimtare të ekspeditave ushtarake dhe të arbitraritetit të nëpunësve grabitqarë osmanë.
Në sanxhakun e Beratit, të formuar rishtazi, që përfshinte edhe krahinat e Vlorës, të Mallakastrës, të Skraparit e të Përmetit, u ngarkua me detyrën e mytesarifit Hysen pashë Vrioni, çifligari më i madh i atyre trevave. Forca të rëndësishme ushtarake, një pjesë e të cilave udhëhiqeshin nga Hysen pashë Vrioni, filluan të përshkonin vendin duke çarmatosur popullsinë dhe duke nxjerrë me forcë taksa e nizamë. Një dëshmitar i kohës, Demir agë Vlonjati, tregon se, sapo afroheshin ekspeditat turke, të gjithë njerëzit iknin nga shtëpitë "sikur të kishte rënë murtaja". Zbatimi me dhunë e me vrazhdësi i reformave, ndonëse në krye u bë vetëm në disa krahina, e kishte shtuar së tepërmi urrejtjen e masave popullore ndaj sundimtarëve osmanë dhe kishte përgatitur truallin për një kryengritje të re.

Duke e ndier këtë rrezik, qeveritarët osmanë i ftuan krerët e Toskërisë në Manastir për t'i bindur që të hiqnin dorë nga qëndresa e të pranonin Tanzimatin. Të njëjtën gjë bënë në Janinë me rreth 800 agallarë e koxhabashë të fshatrave, si edhe me përfaqësues të parisë së qyteteve e të institucioneve fetare. Ata zyrtarisht u dhanë autoriteteve osmane përgjigje pozitive, por në të vërtetë, siç doli më vonë, shumica kishte vendosur ta kundërshtonte me të gjitha mjetet sistemin e ri.

Për organizimin më të mirë të qëndresës, krerët e Shqipërisë së Jugut mblodhën kuvendin e tyre në Mesaplik të Vlorës, në qershor 1847, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga mjaft krahina të Shqipërisë, kryesisht të asaj të Jugut. Shumicën dërrmuese në kuvend e përbënin përfaqësuesit e fshatarësisë. Kuvendi u shpreh kundër Tanzimatit dhe vendosi të mos jepeshin ushtarë, të mos paguheshin taksa të reja dhe të mos pranohej administrata e re osmane. Ai mori edhe vendime të tjera me rëndësi të madhe politike. Kuvendi e shpalli popullin shqiptar, myslimanë e të krishterë, një dhe të pandarë, bëri thirrje që të gjithë, pa përjashtim, të hidheshin në luftë kundër sundimtarëve osmanë dhe kërkoi që t'u sigurohej jeta, nderi e pasuria të gjithë shqiptarëve pavarësisht nga feja.

Kuvendi porositi që forcat e armatosura shqiptare, të cilat do të mblidheshin në krahina të ndryshme, të mos i shkaktonin as dëmin më të vogël popullsisë dhe ushqimi i luftëtarëve të sigurohej nga taksat e vjetra që jepte vendi. Mbi këto baza u formua besëlidhja e përfaqësuesve të Shqipërisë së Jugut ose, siç u quajt, "Lidhja Kombëtare Shqiptare". Lidhja formoi një komitet për drejtimin e veprimtarisë politike e ushtarake, në krye të të cilit u zgjodh Zenel agë Gjoleka nga Kurveleshi, i dëgjuar për trimërinë dhe për përvojën luftarake që kishte fituar në kryengritjet e viteve 30.

Kur në fillim të korrikut xhelepçinjtë erdhën në Kurvelesh për të mbledhur taksat e bagëtive, ata u pritën me armë nga popullsia. Zenel Gjoleka me 500 luftëtarë u drejtuan kundër Delvinës, qendër e administratës osmane, të cilën e çliruan. Kryengritja përfshiu gjithë Labërinë dhe brenda pak kohësh u përhap edhe në trevën e çamërisë, të Përmetit dhe sidomos të Mallakastrës, ku fshatarët kryengritës zgjodhën si udhëheqës Rrapo Hekalin. Në të njëjtën kohë shpërthyen kryengritje në trevat veriore, në rrethet e Elbasanit, të Tiranës, të Matit, të Dibrës, të Plavës e të Gucisë.

çifligarët vrionas mobilizuan të gjitha forcat e tyre dhe, të përkrahur nga reparte ushtarake turke, sulmuan Mallakastrën. Një betejë e ashpër që zgjati tri ditë u zhvillua në fshatin Greshicë. Kryengritësit, të cilëve u erdhën në ndihmë fshatarë nga Myzeqeja dhe nga krahina e Vlorës, i shpartalluan forcat armike dhe kapën të gjallë Isuf bej Vrionin me të vëllanë, që kryesonin ekspeditën; të dy i ekzekutuan në Qafën e Sinjës.

Pas kësaj fitoreje kryengritësit, rreth 1 000 veta, me Rrapo Hekalin në krye, iu drejtuan Beratit dhe e rrethuan. Pas disa ditë luftimesh qyteti ra në duart e tyre. Kryengritësit u përpoqën të merrnin kështjellën ku ishin strehuar qeveritarët turq e vendas, si edhe forcat turke, por u detyruan të tërhiqeshin nga zjarri i fortë i artilerisë.
Për të mbajtur kalanë të rrethuar, në Berat u grumbulluan forca të reja të ardhura nga krahinat përreth, deri nga Dangëllia e Përmeti. Ndërkohë, forcat e shtuara të kryengritësve, të udhëhequra nga Zenel Gjoleka, po arrinin suksese të reja. Pasi shpartalluan një ushtri turke që vinte nga Janina, ata sulmuan Gjirokastrën dhe e rrethuan garnizonin në kala.
E shqetësuar nga këto humbje dhe nga përhapja e gjerë e kryengritjes, qeveria e Stambollit, e cila në fillim mendonte t'i bënte ballë kryengritjes me forcat që kishte në vend, mobilizoi trupa të reja, të cilat u përqendruan sidomos në Manastir e në Janinë për të asgjësuar vatrat më të rrezikshme të kryengritjes në jug.
Qeveria turke zuri edhe brigjet detare, për të ndaluar ndihmën që mund t'u vinte kryengritësve nga Muhamet Aliu i Egjiptit. Për t'i ardhur në ndihmë garnizonit të rrethuar në Gjirokastër, u dërgua nga Thesalia një ushtri prej 3 000 vetash nën komandën e një feudali shqiptar, Shahin bej Kosturit. Por, që në përpjekjet e para me kryengritësit në jug të Gjirokastrës, forcat turke u thyen nga forcat shqiptare të udhëhequra nga Zenel Gjoleka.
Fitoret e kryengritësve bënë bujë në Shqipëri dhe jashtë saj. Jehona e tyre u ndie edhe në Kosovë, ku filluan të dukeshin shenjat e një lëvizjeje të re. Nëpunësit turq braktisnin në panik postet sapo dëgjonin për afrimin e kryengritësve. Udhëtari anglez E. Spenser, që udhëtonte në këtë kohë nëpër Shqipëri, shkruante: "Heroi i ditës kudo është Gjoleka".

Për të siguruar suksesin e plotë të kryengritjes, Komiteti i Lidhjes u përpoq të gjente edhe një aleat të jashtëm. Për këtë qëllim ai iu drejtua Greqisë, marrëdhëniet e së cilës me Stambollin në këtë kohë ishin acaruar. Qeveria greke tregoi interesim të veçantë për kryengritjen shqiptare, jo vetëm sepse përpiqej t'i shkaktonte vështirësi Turqisë duke nxitur shqiptarët, duke u premtuar edhe ndihma materiale e financiare, të vijonin luftën, por edhe sepse synonte që ta vinte kryengritjen shqiptare në shërbim të saj për të realizuar lakmitë territoriale ndaj Shqipërisë së Jugut, që ishin shpallur zyrtarisht qysh më 1844 me të ashtuquajturën Megali Idea (Idea e Madhe). Këto qëllime ishin shkaku që bisedimet ndërmjet Zenel Gjolekës dhe kryeministrit grek J. Koletis nuk patën sukses.

Bisedimet shqiptaro-greke dhe rreziku që mund t'i vinte nga një aleancë e mundshme ushtarake ndërmjet kryengritësve e Greqisë e shtynë Portën e Lartë të vepronte më me vendosmëri për ta nënshtruar sa më parë Toskërinë. Sulltani i shpalli "fermanllinj" Zenel Gjolekën e pasuesit e tij. Një ushtri prej 15 mijë vetash u nis nga Manastiri në drejtim të Beratit.

Zenel Gjoleka e Tahir çapari, në krye të 1 500 kryengritësve, më 28 gusht 1847 i dolën përpara ushtrisë osmane prej 5 000 vetash, që ishte nisur nga Janina.
Pas përleshjes që zhvilluan me të në fshatin Dholan, në verilindje të Janinës, i shkaktuan asaj disfatë. Me këtë fitore para kryengritësve u hap rruga për në Janinë, të cilën mund ta merrnin edhe për shkak se garnizoni i qytetit përbëhej në shumicë nga ushtarë shqiptarë. Por marshimi i mëtejshëm i kryengritësve drejt Janinës u ndal për shkak të lajmit se forcat e tjera ushtarake osmane po përparonin nga Manastiri drejt Beratit e Mallakastrës. Zenel Gjoleka u hodh në Labëri, ku ishin drejtuar forcat e shumta osmane.
Kryengritësit e udhëhequr nga Rrapo Hekali goditën forcat ushtarake të komandantit të Rumelisë gjatë rrugës drejt Beratit, në afërsi të këtij qyteti. Sapo ushtria turke iu afrua qytetit, garnizoni i rrethuar doli nga kalaja dhe sulmoi kryengritësit në qytet.
Duke u ndodhur midis dy zjarresh dhe përballë fuqive shumë më të mëdha, kryengritësit u tërhoqën nga qyteti në rrethet e tij dhe vijuan luftën të ndarë në çeta më të vogla e me sulme të befasishme.
Nga Berati ushtria osmane u hodh në Vlorë për t'u bashkuar me pjesën tjetër që kishte ardhur nga deti dhe për të ndarë forcat kryengritëse të Rrapo Hekalit nga ato të Zenel Gjolekës. Prej andej ushtria u drejtua për në Labëri, ku nuk hyri dot nëpërmjet Grykës së Kuçit, sepse aty ishin përqendruar kryengritësit e Zenel Gjolekës, por nga ana e Mesaplikut. Ushtria osmane dogji fshatrat Bolenë, Kuç, Kallarat etj.

Reparte të tjera ushtarake osmane zbarkuan në Himarë për t'u rënë kryengritësve prapa krahëve. Në kushte të tilla edhe Zenel Gjoleka i ndau kryengritësit në çeta më të vogla. Njëra prej tyre u ndesh me forcat osmane në fshatin Palavli, në fushë të Delvinës. Ndonëse luftuan me trimëri, kryengritësit u thyen përballë ushtrive të shumta armike.

Me shtypjen e kryengritjes në Shqipërinë e Jugut, trupat osmane përdorën gjerësisht terrorin mbi popullsinë, duke e vijuar ekspeditën ndëshkuese edhe gjatë dimrit 1847-1848. Ato mundën të shtinin në dorë udhëheqësit kryesorë të kryengritjes, si Rrapo Hekalin me të vëllanë Hamitin, Tahir çaparin dhe mbi 1 000 luftëtarë të tjerë, të cilët i burgosën dhe i internuan. Rrapo dhe Hamit Hekali vdiqën në burg, ndërsa Zenel Gjoleka me një grup besnikësh u tërhoqën në Greqi, ku gjetën strehim. Ushtria turke arriti të shuante njërën pas tjetrës vatrat e qëndresës edhe në trevat e tjera.
Qeveria osmane ndërmori atëherë zbatimin e sistemit të ri tanzimatist në Shqipërinë e Jugut.

Kryengritja e 1847-ës shënon një shkallë më të lartë të lëvizjeve çlirimtare kundër Tanzimatit si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga shtrirja e organizimi i saj. Ajo dallohet në radhë të parë për rolin aktiv të masave fshatare në drejtimin e saj. Kjo kryengritje luajti një rol të rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve si një tërësi etnike me interesa të përbashkëta, pavarësisht nga feja e krahina, ashtu siç ishte vendosur në kuvendin e Mesaplikut. Ideja e bashkimit u shpreh edhe në këngët popullore që iu kushtuan kryengritjes. Në një nga këto këngë poeti popullor i drejtohet Zenel Gjolekës me fjalët "sos lëfton për vete, / por për gjithë vilajete" dhe vë në dukje se udhëheqësi trim nuk lufton "as për mua, as për ti, / po për gjithë Shqipëri". Duke folur për këtë kryengritje, Sami Frashëri vinte në dukje që ajo kërkoi bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një Shqipëri autonome.
Në folklor gjejmë mjaft të dhëna edhe për karakterin shoqëror të kësaj kryengritjeje të drejtuar, ashtu si edhe të tjerat, kundër grabitjes nga shteti osman dhe nga feudalët e mëdhenj vendas. "Nizam e xhelepe s'ka / është vendi fukara", thuhet në një këngë. Dhe në një memorandum, të hartuar nga krerët e lëvizjes më 15 gusht 1847, kryengritësit vinin në dukje se nuk kishte kush të përkujdesej për "fakir fukaranë".

_________________
Ca pika shiu rane mbi qelq,
Per ty une befas ndjeva mall,
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi sa rrallë.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit http://eja-ti.top-forum.net
Mondi
Bordidrejtues
Bordidrejtues


Anëtarësuar Anëtarësuar : 26/11/2010
Postime Postime : 3474
Vendodhja Vendodhja : Always where I need to be...:)
Mosha Mosha : 32

MesazhTitulli: Re: HISTORIA E RILINDJES KOMBETARE    Sat Dec 25, 2010 10:52 pm

3. IDEOLOGËT E PARË TË LËVIZJES KOMBËTARE



Krahas dukurive të reja politike e shoqërore të kryengritjeve kundërosmane të viteve 30-40, ku spikatën kërkesat për trajtimin e veçantë të Shqipërisë dhe për administrimin e saj nga njerëzit e vendit, lindi dhe u zhvillua në Shqipëri edhe ideologjia kombëtare. Shprehësit e parë më të shquar të ideve të reja u bënë Naum Veqilharxhi dhe Jeronim de Rada.

Naum Veqilharxhi dhe veprimtaria e tij në vitet 40
Naum Veqilharxhi (1797-1854) lindi në Vithkuq (rrethi i Korçës), që ishte një qytezë me zeje e tregti të zhvilluar dhe me një popullsi arsimdashëse. Që në moshë të re, para vitit 1806, ai shkoi në Vllahi, ku kishte një koloni të rëndësishme shqiptarësh. Më 1821 Naumi, bashkë me shqiptarë të tjerë, mori pjesë në kryengritjen e madhe popullore që shpërtheu në Vllahi kundër sundimit osman nën udhëheqjen e Tudor Vladimireskut.

Lufta që zhvilloi kundër sundimit osman në dhe të huaj ia shtoi dashurinë për vendlindjen. Duke punuar si avokat në Brailë të Rumanisë, ai u njoh me idetë përparimtare dhe u formua si iluminist. Këtu ai iu kushtua me mish e me shpirt çështjes së çlirimit kombëtar të atdheut të vet, Shqipërisë.

Naumi, i cili edhe në dokumentet vetjake në mërgim e cilësonte veten me kombësi shqiptare, kishte besim të patundur te populli shqiptar, në aftësitë e tij për t'u ndriçuar e për t'u çliruar dhe në të ardhmen e tij më të mirë. Ky besim buronte jo vetëm nga patriotizmi i flaktë dhe nga përvoja e njohuritë filozofike e historike që kishte fituar, por edhe nga realiteti i Shqipërisë, ku kryengritjet çlirimtare kundër sundimit osman pasonin njëra-tjetrën nga jugu në veri.

Si iluminist Naumi arriti në përfundimin se popullit shqiptar, të zhytur në padije, i duhej patjetër arsimimi në gjuhën amtare si mjet për ngritjen e ndërgjegjes dhe përparimin shpirtëror e material të tij, se pa zhvillim kulturor nuk mund të kishte çlirim politik të popullit. "Ka ardhur koha, - shkruante ai më 1846, - që t'i flakim të gjitha paragjykimet e vjetruara, ka ardhur koha që të mendohemi më me pjekuri dhe më me guxim të këmbejmë udhë, duke marrë këtej e tutje si shembull kombet e përparuara mbi tokë... Dhe duke synuar këtu, le të ecim pa u lëkundur, me guxim, me durim dhe me këmbëngulje".

Nevoja për masa të frytshme e konkrete në fushën e arsimit në gjuhën shqipe ishte bërë veçanërisht e theksuar në vitet 40, me shtimin e numrit të shkollave të huaja që filluan të hapeshin në Shqipëri.

Naum Veqilharxhi u bë shprehës i atyre rretheve atdhetare shqiptare, brenda e jashtë vendit, të cilat e kuptuan rrezikun e madh që paraqisnin shkollat e huaja për bashkimin e popullit shqiptar dhe për çlirimin e tij kombëtar dhe që e ndien nevojën e ngutshme për të përhapur arsimin në gjuhën amtare. Prandaj ai kërkonte një shkollë të re, shqipe nga gjuha, racionaliste nga përmbajtja dhe masive nga shtrirja. Në kushtet e Shqipërisë së prapambetur rruga drejt këtij arsimi do të fillonte nga abetarja dhe për ta hartuar atë duhej përgatitur alfabeti shqip. Alfabetet latine, greke ose arabe, që ishin përdorur deri atëherë për shkrimin e shqipes, pa ndonjë përshtatje të veçantë, jo vetëm nuk jepnin plotësisht të gjithë tingujt e saj, por kishin marrë edhe ngjyrë fetare e ishin bërë përçuese ndikimesh politike të huaja. Naum Veqilharxhi mendonte se shqiptarët si komb i veçantë, me gjuhë të veçantë, duhej të kishin edhe alfabetin e tyre.

Me alfabetin e ri që sajoi qysh në vitet 20, duke huajtur edhe elemente nga alfabetet e tjera, ai kishte hartuar disa tekste; por këto, siç duket, për vështirësi teknike e mungesë mjetesh mbetën për dy dhjetëvjeçarë të pabotuara. Më 1844 Naum Veqilharxhi botoi në Rumani "Evetarin" e tij, një abetare e vogël e poligrafuar, e cila është abetarja e parë e gjuhës shqipe. Abetarja u shpërnda në krahinat jugore të Shqipërisë, në Korçë, në Përmet, në Berat, në Gjirokastër etj. Megjithëse alfabeti ishte i vështirë për t'u përvetësuar, abetarja ngjalli entuziazmin e bashkatdhetarëve. Në një letër, që i drejtohej autorit nga Korça më 22 prill 1845, e njoftonin se abetaret i kishin marrë "... me gëzim të madh dhe me kënaqësi". Letra i bënte të ditur se paria e Korçës kishte vendosur të fillonte një fushatë për të ndihmuar Naum Veqilharxhin të blinte një shtypshkronjë dhe të hapte shkolla shqipe.
"Mjaft për kaq kohë nën zgjedhën e paditurisë, - shkruanin patriotët korçarë. - Të shpresojmë se brenda një kohe të shkurtër arsimi do të shtrihet në mbarë atdheun tonë dhe në mbarë kombin tonë... Na dërgoni sa më shumë evetore, sepse bashkatdhetarët po kërkojnë pareshtur të gjejnë akoma nga kjo abetare". Kjo pritje e ngrohtë e këto fjalë tregonin se nisma e Naum Veqilharxhit shprehte aspiratat e një shtrese të gjerë shoqërore brenda vendit, që ndiente nevojën për t'u arsimuar në gjuhën amtare si kusht i rëndësishëm për të çarë errësirën mesjetare dhe për t'i hapur atdheut rrugën e përparimit.

Për t'iu përgjigjur kërkesës së patriotëve korçarë, më 1845 Naum Veqilharxhi botoi një abetare të dytë me titull "Fare i ri evetar shqip", shumë më të plotë se e para dhe me një parathënie të gjerë. Në këtë abetare Naumi bënte përpjekje serioze për ta vënë mësimin e shqipes mbi baza shkencore; ai e pasuroi gjuhën shqipe me një varg fjalësh e termash të kulturës e të shkencës.
Abetaret e Naum Veqilharxhit luajtën një rol të rëndësishëm në Rilindjen Shqiptare, hodhën hapat e parë të arsimit në gjuhën shqipe.
Pas botimit të abetares së dytë Naum Veqilharxhi, me sa duket, u përpoq të krijonte një shoqëri kulturore shqiptare, e cila do të merrej me botimin në Rumani të librave në gjuhën amtare dhe me dërgimin e tyre në Shqipëri.
Naum Veqilharxhi ishte një mendimtar i shquar iluminist dhe hyri në histori edhe si ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Idetë e tij ai i shprehu në "Qarkoren", hartuar në gjuhën greke, që u drejtoi nga Rumania, rreth mesit të viteve 40, bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri, në letrën e gjatë polemizuese dërguar nipit të vet, që i quante përpjekjet e të ungjit për çështjen shqiptare "himera" dhe në parathënien e abetares së vitit 1845. Këto janë dokumentet e para ideologjike e programatike të njohura deri më sot të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të hartuara nga një përfaqësues i intelektualëve atdhetarë shqiptarë.

Naum Veqilharxhi nisej nga koncepti dialektik se, si në natyrë, ashtu edhe në shoqëri vepron ligji i zhvillimit, se në bazë të këtij ligji kalohet nga më e ulëta në më të lartën, nga e vjetra në të renë. "Asnjë komb nuk ka rënë nga qielli", "...shoqëria, bashkëpunimi e ka bërë njerinë". Fjalët e rënda që mund të thuheshin për shqiptarët, shkruante ai, "tregojnë një gjendje që shkëmbehet e nuk mbetet përjetë. Vetëm kafshët e kanë të përcaktuar fatin nga natyra. Njeriu zhvillohet nga të voglat duke përparuar".

Në gjykimin e gjërave Naum Veqilharxhi vinte arsyen, të cilën, në kundërshtim me dogmatizmin mesjetar, e quante një mjet shumë të rëndësishëm që e ndante njeriun nga bota e kafshëve dhe e bënte zotin e të fshehtave të gjithësisë.

Sipas këtyre koncepteve filozofike Naumi trajtoi edhe çështjen shqiptare, historinë e kombit të vet dhe detyrat që qëndronin përpara vendit. Kombi shqiptar, theksonte ai, është krijuar në të njëjtën kohë me kombet e tjera, zë një vend të caktuar në tokë, ka karakter të veçantë, gjuhë e zakone të veçanta, shekujt e tij mitologjikë, heroikë, politikë e fetarë dhe ruan në gjirin e tij një thesar të madh kulturor. Të ndihmoje këtë komb të fitonte ndërgjegjen dhe të zhvillohej Naum Veqilharxhi e quante "një borxh ndaj vendlermit" (vendlindjes).

Shakun kryesor të gjendjes së mjeruar në të cilën ndodhej populli shqiptar ai e shihte te "pushtimet e shpeshta", te "përmbysjet e gjithanshme", te "ndryshimet politike", te "dogmat fetare", te "padija" dhe sidomos te "lënia pas dore e gjuhës sonë kombëtare dhe zëvendësimi i saj me një gjuhë të huaj...". Faktor vendimtar për nxjerrjen e vendit nga kjo gjendje, Naum Veqilharxhi, si iluminist, quante përhapjen e arsimit e të kulturës në gjuhën amtare. "Ato kombe që mbetën në padije, - shkruante ai, - u shëmbëllejnë thjesht skllevërve...", këto kombe "...vetëm atëherë mund të dalin nga gjendja e turpshme e mjerimit të tyre kur do të fillojnë të lëvrojnë gjuhën e tyre kombëtare...".

Me këtë bindje dhe i ndërgjegjshëm për rrezikun që i vinte atdheut nga arsimi në gjuhë të huaj, Naum Veqilharxhi i ftonte bashkatdhetarët e tij të përhapnin arsimin dhe kulturën në gjuhën amtare. Ai u jepte zemër bashkatdhetarëve dhe i këshillonte të mos dëshpëroheshin nga gjendja e vajtueshme në të cilën ndodhej vendi i tyre. "Le të hedhim farën e mirë, - shkruante ai, - dhe me siguri vetë natyra e shenjtë e ngjarjeve do të ndihmojë për gjallërimin, mbirjen dhe rritjen e saj, pemët e bukura dhe shumë të ëmbla të së cilës do t'i korrë padyshim brezi i ardhmë...".

Naum Veqilharxhi kërkonte që shkolla shqipe të ishte jo vetëm për të pasurit, por edhe për të varfrit dhe interesi i atdheut të vihej mbi interesin vetjak. Por ai nuk e prekte, veçse në mënyrë të papërcaktuar, çështjen e qëndrimit ndaj qeverisë osmane. Megjithëse kryengritjet çlirimtare në Shqipëri kishin paraqitur kërkesën e vetëqeverisjes së vendit, Naumi, me sa duket, mendonte që më parë duheshin shfrytëzuar kushtet e krijuara formalisht nga dekreti i Tanzimatit për të zhvilluar një veprimtari energjike në fushën e arsimit e të kulturës në gjuhën amtare, derisa të rritej ndërgjegjja kombëtare e të arrihej bashkimi i popullit në atë shkallë që të lejonte shtrimin e çështjes së marrëdhënieve politike me Turqinë.



Lëvizja e arbëreshëve të Italisë në përkrahje të çështjes kombëtare në vitet 30-40

Në kohën kur Naum Veqilharxhi zhvillonte veprimtarinë e vet në Rumani dhe krijonte lidhje me disa qendra të Shqipërisë së Jugut, në kolonitë arbëreshe të Kalabrisë dhe të Sicilisë në Itali filluan të dukeshin shenjat e para të një lëvizjeje në përkrahje të çështjes kombëtare shqiptare. Ngjarjet që po zhvilloheshin në këtë kohë në Shqipëri, kryengritjet e njëpasnjëshme, përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për arsimin dhe kulturën kombëtare tërhoqën vëmendjen e një vargu intelektualësh të dalë nga gjiri i kolonive arbëreshe. Arbëreshët nuk e kishin harruar vendin e të parëve dhe i ruanin të gjalla, veçanërisht në folklorin e tyre të pasur, traditat e mëdha të luftës për liri, si dhe gjuhën e doket që kishin marrë nga mëmëdheu.

Të nxitur nga dashuria për atdheun e të parëve dhe nën ndikimin e interesit që shfaqte në gjysmën e parë të shek. XIX shkenca gjuhësore evropiane për gjuhën shqipe, intelektualët arbëreshë filluan të merreshin me studimin e historisë, të folklorit dhe të gjuhës së këtyre kolonive, si dhe në përgjithësi me historinë e mëmëdheut të tyre të dikurshëm. Në kohën kur filluan të bëheshin hapat e parë të gjuhësisë krahasuese dhe u zbuluan lidhjet gjenealogjike të një vargu gjuhësh, studiuesi arbëresh Engjëll Mashi në vitet e para të shek. XIX dhe Josif Krispi e Gjon Skiroj në vitet 30 hodhën tezën e prejardhjes së popullit shqiptar nga pellazgët e të gjuhës së tij nga pellazgjishtja, gjuhë që mendohej se ishte folur nga banorët më të lashtë të Ballkanit e të Mesdheut. Teza e prejardhjes pellazgjike, si shprehje e lashtësisë së popullit shqiptar, zuri vend e u përhap shumë në qarqet shkencore dhe në opinionin e gjerë.
Po në këtë kohë filloi veprimtarinë e tij Jeronim de Rada (1814-1903) nga fshati Makje i Kalabrisë, i cili u bë një nga figurat më të shquara të letërsisë arbëreshe dhe të lëvizjes patriotike shqiptare. Qysh në veprën e tij të parë, poema "Këngët e Milosaos" (1836), shkruar në dialektin arbëresh, De Rada i dha letërsisë shqipe një nga veprat e saj më të bukura. Duke trajtuar edhe më tej tema historike, nga luftërat shqiptaro-turke të shek. XV, si p.sh., në poemën "Serafina Topia" (1843), poeti, i frymëzuar nga kryengritjet shqiptare, si dhe nga lëvizjet çlirimtare që zienin në Itali, në të cilat mori pjesë vetë, vinte në dukje traditat luftarake e liridashëse të popullit shqiptar.
Me këto vepra ai u bënte të njohur bashkatdhetarëve dhe nëpërmjet përkthimit italisht gjithë botës historinë e lavdishme të popullit shqiptar. Me këtë intelektualët arbëreshë filluan të sendërtonin atë që e quajtën si detyrë të madhe ndaj mëmëdheut të tyre të lashtë: "të ringjallnin përpara opinionit publik ndjenjat e një kombi të lavdishëm, por të panjohur", siç shkruante më 1847 në parathënien e veprës së vet "Mbi shqiptarët, kërkime dhe mendime", studiuesi arbëresh Vinçenc Dorsa. Ai ia kushtonte veprën e vet "kombit të tij të përndarë e të përçarë, por një". Me këtë Vinçenc Dorsa donte të theksonte se kolonitë arbëreshe e ndienin veten si "pjesë të pandara të një të tëre, të kombit shqiptar".

Me gjithë kushtet e vështira, ndërmjet vatrave të veçanta të lëvizjes politike e kulturore shqiptare filluan të krijoheshin që herët lidhjet e para. Në vitin 1845 Naum Veqilharxhi dhe shqiptarët e tjerë të Bukureshtit e përgëzonin Jeronim de Radën me një letër për punimin e tij "Mbi hyjnitë e pellazgëve", të botuar më 1843 në të cilën poeti përpiqej të shpjegonte se një varg emrash të mitologjisë greke në të vërtetë ishin shqip, sepse shpjegoheshin, sipas tij, me anë të shqipes së sotme dhe se pellazgët i kishin dhënë hua kulturës së lashtë greke një varg elementesh. Mendime të ngjashme në lidhje me prejardhjen pellazgjike të gjuhës shqipe të popullit shqiptar shfaqën edhe një varg albanologësh të huaj.

Këto mendime të De Radës dhe të albanologëve në lidhje me teorinë pellazgjike u përqafuan nga Naum Veqilharxhi dhe atdhetarë të tjerë shqiptarë. Ato luajtën një rol për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve dhe u përdorën për të vërtetuar autoktoninë e popullit shqiptar në trojet e veta dhe për të shtruar përpara opinionit ndërkombëtar njohjen e të drejtave të shqiptarëve si komb më vete.

Intelektualët arbëreshë ndiqnin me vëmendje ngjarjet që po zhvilloheshin në vitet 30-40 të shek. XIX në Shqipëri. Veprat e tyre jo vetëm u bënin jehonë këtyre ngjarjeve, por edhe, duke evokuar të kaluarën, ngrinin probleme të rëndësishme, si ato të luftës së armatosur për liri, të bashkimit të popullit shqiptar etj. Duke vënë në dukje rëndësinë e kryengritjeve që po ndodhnin në mëmëdheun e tyre të lashtë dhe duke i interpretuar ato si shenja të një kthese Vinçenc Dorsa i përshëndeste "këto kërcënime të vazhdueshme, inkursione, rebelime, mosbindje ndaj ligjeve, bashkimin e shpejtë nën flamurin e një kryetari dhe tërheqjen e vëmendjes që i bëjnë Portës së Lartë". "
Në këto fakte, unë lexoj, - vazhdonte ai, - përgatitjen e furtunës së afërme dhe agimin e ditës së kthjellët që do të vijë pas saj". Dhe më poshtë: "Shqipëria beson se kjo ditë (e rilindjes së saj - shën. i aut.) është e afërme dhe besimi i vë asaj në lëvizje shpirtin për ta arritur. Ajo nuk flet veçse për rilindje...".

_________________
Ca pika shiu rane mbi qelq,
Per ty une befas ndjeva mall,
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi sa rrallë.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit http://eja-ti.top-forum.net
Mondi
Bordidrejtues
Bordidrejtues


Anëtarësuar Anëtarësuar : 26/11/2010
Postime Postime : 3474
Vendodhja Vendodhja : Always where I need to be...:)
Mosha Mosha : 32

MesazhTitulli: Re: HISTORIA E RILINDJES KOMBETARE    Sat Dec 25, 2010 10:53 pm

4. KUNDËRSHTIMI I PLANEVE EKSPANSIONISTE TË SHTETEVE FQINJE. SHQIPËRIA DHE KRIZA LINDORE E VITEVE 1853-1856


"Megali Idea" greke dhe "Naçertania" serbe


Kryengritjet për autonomi të viteve 30-40, si pjesë përbërëse dhe element aktiv i lëvizjes çlirimtare në Ballkan, e dobësuan sundimin e Portës së Lartë dhe krijuan kushte objektive për bashkëpunimin ushtarak të popujve të shtypur të gadishullit dhe për shpejtimin e çlirimit të tyre nga zgjedha osmane. Por ky bashkëpunim u minua nga politika ekspansioniste e Greqisë dhe e Serbisë.

Në vitet 40 shteti serb dhe ai grek nuk e kishin përfunduar ende bashkimin e tyre kombëtar. Një pjesë e territoreve me popullsi serbe e greke ndodhej ende nën sundimin osman. Për këtë arsye, një nga drejtimet e politikës së këtyre vendeve ishte ai i çlirimit të territoreve dhe i bashkimit të tyre me shtetet kombëtare përkatëse. Por, krahas këtij synimi të drejtë, te qeveritë greke e serbe që drejtonin këto shtete ishin shfaqur prirje të frymëzuara nga ide shoviniste, të cilat u zhvilluan e u shndërruan në një vijë themelore të politikës së tyre.

Në fillim të vitit 1844 kryeministri grek J. Koleti e formuloi dhe e shpalli zyrtarisht programin politik ekspansionist, i cili hyri në histori me emrin "Megali Idea" ("Megali Idhea" - "Ideja e Madhe"). Sipas këtij programi, Greqia si trashëgimtare e Bizantit duhej të shndërrohej në një shtet të madh me kryeqytet Stambollin (Konstandinopojën), ku do të bënin pjesë jo vetëm tokat greke, por edhe të gjitha territoret me popullsi ortodokse jogreke të Ballkanit, që kishin qenë nën Perandorinë Bizantine dhe vareshin fetarisht nga Patrikana e Stambollit. "Megali Idea" përfshinte në kufijtë e Greqisë së Madhe edhe tokat shqiptare. Me këtë projekt, në veri në fillim përfshihej në kufijtë e Greqisë gjithë Shqipëria, kurse pas viteve 60 caktohej si kufi verior herë lumi Drin, herë Shkumbini, ndërsa shovinistët më të moderuar grekë e çonin atë deri te lumi Vjosë.

Për realizimin e kësaj platforme qeveria greke parashikonte të hidhte në Shqipërinë e Jugut çeta të armatosura, të cilat do të provokonin kryengritje dhe do të përgatisnin truallin për aneksimin e këtyre territoreve nga Greqia. Ajo u orvat të shfrytëzonte për qëllimet e saj edhe kryengritjet shqiptare, sidomos ato të Shqipërisë së Jugut, siç ishte ajo e vitit 1847, kur kryeministri grek J. Koletis hyri në bisedime me Zenel Gjolekën, të cilat, për shkak të synimeve ekspansioniste të Athinës, dështuan.

"Megali Idea" greke gjeti një mbështetje të fuqishme te Patrikana ortodokse e Stambollit. Me formimin e shtetit grek, Patrikana e humbi dora-dorës karakterin ekumenik që kishte më parë dhe u kthye në një kishë greke, në një aleate e Greqisë. Kështu që kisha ortodokse dhe shkollat në gjuhën greke u kthyen në vatra për të helenizuar besnikët e nxënësit që i frekuentonin ato.

Po atë vit, më 1844, ministri i Serbisë I. Garashanin shpalli programin që do të vihej në themel të politikës serbe e që është i njohur në histori me emrin "Naçertanie" ("Projekt"). Edhe qarqet politike drejtuese të Serbisë, ashtu si ato të Greqisë, me pretekstin e çlirimit të tokave të sllavëve të jugut nga zgjedha osmane, synonin të krijonin një shtet të madh, që do të përtërinte perandorinë mesjetare të Stefan Dushanit. Në kufijtë e kësaj perandorie të re, sipas "Naçertanies", do të hynin edhe viset e Shqipërisë së Veriut së bashku me Kosovën, që ministri serb e pagëzoi me emrin "Serbi e Vjetër".

Të dyja programet kishin karakter shovinist dhe shprehnin aspiratat ekspansioniste të borgjezisë greke e serbe. Ato nuk e njihnin ekzistencën e kombit e të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe si pasojë kundërshtonin idenë e krijimit të shtetit shqiptar. Sipas këtyre programeve, tokat shqiptare ishin të destinuara të ndaheshin midis Greqisë dhe Serbisë.
Këto synime të shteteve fqinje, që ishin shfaqur edhe më parë, u shndërruan prej viteve 40 të shek. XIX në një politikë të përhershme zyrtare, pasojat e së cilës u ndien shumë shpejt në Shqipëri.



Lufta kundër "turkomanizmit" dhe "grekomanizmit"

Duke filluar prej viteve 50 Lëvizja Kombëtare Shqiptare bëri një luftë gjithnjë e më të ashpër kundër ideologjisë së panislamizmit, të propaganduar nga Porta e Lartë, dhe të panhelenizmit, të përhapur nga qarqet shoviniste të Athinës.
Qeveria e Stambollit ua mohonte kombësinë shtetasve myslimanë joturq të Perandorisë, të cilët i quante osmanllinj dhe ndiqte me këmbëngulje parimin, sipas të cilit Perandoria teokratike Osmane duhej të mbështetej mbi gjithë shtetasit myslimanë pa dallim.

Me qëllim që të përforconin pozitat e tyre në Shqipëri, të rrezikuara nga kryengritjet e vazhdueshme shqiptare dhe nga lëvizja e përgjithshme kryengritëse e popujve të tjerë ballkanas dhe për t'i lidhur sa më ngushtë masat e prapambetura të popullsisë myslimane shqiptare me fatet e Perandorisë, qeveritarët e Stambollit filluan të zhvillonin një fushatë me parulla panislamike për të nxitur fanatizmin e përçarjen fetare midis shqiptarëve. Ata dërguan në Shqipëri për këtë qëllim edhe klerikë myslimanë nga Anadolli e nga vende të tjera lindore. Këtij qëllimi i shërbenin edhe shkollat shtetërore turke që po ngriheshin në vitet 50-60 në Shqipëri, të cilat, edhe pse quheshin formalisht shkolla laike, pjesën më të madhe të programit e kishin me lëndë fetare islamike.

Kundërshtimi që i bënte Porta lëvizjes shqiptare gjente mbështetje te disa shtresa të caktuara të shoqërisë shqiptare, te "turkomanët". Këta përbëheshin, në radhë të parë, nga elementët fanatikë të klerit mysliman shqiptar, si dhe nga një pjesë e feudalëve të vendit, të cilët pozitën e privilegjuar që kishin si funksionarë fetarë ose shtetërorë ia detyronin sulltanit dhe prandaj ishin të interesuar të mos prisheshin e as të prekeshin lidhjet me të. Ndër turkomanët bënin pjesë edhe disa elementë të borgjezisë së pasur qytetare, të cilët, jo vetëm nën ndikimin e parullave fetare islamike, por edhe si sipërmarrës shtetërorë e pjesëmarrës në spekulime të përbashkëta me funksionarët e Perandorisë, kishin interes të ruanin gjendjen ekzistuese, që u siguronte atyre një varg fitimesh. Qarqet e turkomanëve përpiqeshin të shfrytëzonin për qëllimet e tyre prapambetjen arsimore e kulturore të shtresave të gjera të popullsisë shqiptare, ndjenjat e tyre të natyrshme fetare islame dhe sidomos ndikimin mbi to të sulltanit si Kalif.

Kundërshtim të ashpër gjeti Lëvizja Kombëtare Shqiptare, si edhe ajo e disa popujve të tjerë ballkanas, edhe nga prirjet shoviniste të disa qarqeve të borgjezisë greke, që propagandonin "panhelenizmin" si armë ideologjike për të përgatitur realizimin e planit ekspansionist të "Idesë së Madhe".

Një rol të veçantë në këtë lëvizje luante edhe kleri i Patrikanës greke të Stambollit. Ideologjia panheleniste u mbështet edhe nga disa shtresa të caktuara të shoqërisë shqiptare, nga "grekomanët", siç u quajtën përfaqësuesit e këtij orientimi, që vinin në radhë të parë nga një pjesë e tregtarëve ortodoksë të Shqipërisë së Jugut, që kishin lidhje me tregjet e Selanikut, të Korfuzit etj.
Dobësia e borgjezisë shqiptare si klasë e re dhe ndikimi i parullave fetare të përhapura me anë të kishës e të shkollave greke u bënë shkak që "grekomanët" të shihnin te borgjezia greke, e cila kishte krijuar shtetin e vet kombëtar, të vetmen mbështetje për t'u çliruar nga zgjedha osmane.
Protagonistët e "Idesë së Madhe" në Shqipëri u përpoqën të shfrytëzonin për qëllimet e tyre edhe dasitë fetare midis borgjezisë e fshatarësisë së krishtere shqiptare dhe bejlerëve çifligarë të vendit, që në shumicën dërrmuese ishin myslimanë, si edhe nevojën e madhe për arsim që kishte popullsia shqiptare, nevojë e cila, për mungesë shkollash në gjuhën shqipe, nuk kishte mundësi të plotësohej atëherë veçse në shkolla greqisht.

Duke luftuar kundër këtyre rrymave mendimtarët rilindës përpunuan platformën e vet, që u bë baza e veprimit të mëtejshëm politik-kulturor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Të nisur nga fakti se në bazë kriteresh objektive populli shqiptar, me gjithë ndarjen fetare, përbënte një komb më vete dhe si i tillë kishte një rrugë të veçantë të formimit historik që e shpinte në mëvetësinë e tij kulturore e politike, ideologët e lëvizjes kombëtare e drejtuan propagandën e tyre kundër përpjekjeve të "panislamistëve"dhe "panhelenistëve" për të bërë për vete politikisht, sipas parimit fetar, pjesë të veçanta të popullit shqiptar.

Një luftë të posaçme bënë ata, ndër të tjera, kundër tezave politike të panhelenistëve, që, duke i mbështetur synimet e tyre në teorinë pellazgjike, propagandonin se shqiptarët dhe grekët kishin origjinë të përbashkët, ishin pasardhës të pellazgëve nga gjuha e nga prejardhja dhe si rrjedhim ishin vëllezër, e arrinin kështu në përfundimin se shqiptarët duhej të shkriheshin jo vetëm nga pikëpamja kulturore, por edhe politikisht në gjirin e "helenizmit".
Megjithatë, vështirësitë e krijuara nga një propagandë e tillë armiqësore ndaj kombit shqiptar, nuk i penguan Naum Veqilharxhin dhe aktivistët e tjerë të çështjes kombëtare të vijonin rrugën e nisur. Naum Veqilharxhi iu drejtua pasanikëve shqiptarë në Rumani, Vangjel Zhapës nga Labova e Lunxhërisë (Gjirokastër) dhe Apostol Arsaqit nga Hotova e Përmetit, të njohur si dhurues shumash të mëdha për qëllime mirëbërëse në Greqi, që të jepnin përkrahjen e tyre për të shtypur libra shkollorë në gjuhën amtare, të hartuar prej tij dhe për të hapur shkolla shqipe. Por Vangjel Zhapa doli kundër orientimit të pavarur të veprimtarisë arsimore shqiptare.

Kur po zhvillonte një veprimtari të dendur për çështjen shqiptare, Naum Veqilharxhi vdiq (në vitin 1854). Si fajtor për vdekjen e tij shqiptarët akuzuan në radhë të parë Patrikanën e Stambollit, e cila, për të ruajtur "unitetin" e fesë së krishterë që gjoja ishte vënë në rrezik nga veprimtaria e Naum Veqilharxhit, kishte nxitur Portën për të marrë masa kundër tij. Rrugën e veprimtarit të palodhur e vijuan shumë dishepuj, midis të cilëve edhe Thimi Mitkoja nga Korça.
Një rrugë të veçantë filluan të ndiqnin në këto vite disa intelektualë ortodoksë nga Shqipëria e Jugut e në radhë të parë Anastas Byku nga Lekli i Tepelenës (veproi në vitet 1859-1878). Duke u nisur nga bindja se pa përparim kulturor, pa lëvrimin e mësimin e gjuhës amtare populli shqiptar nuk do të kishte mundësi të zinte vendin që i përkiste midis popujve të tjerë, Anastas Byku botoi në vitet 1861-1862 në Lamia të Greqisë gazetën greqisht-shqip "Pellasgos", kushtuar çështjes shqiptare.

Të njëjtit qëllim i shërbente edhe abetarja e vogël me titull "Gramë për shqiptarët" (1861), në të cilën përdorej alfabeti greqisht për shkrimin e shqipes. Më tej Anastas Byku punoi për ngritjen e një rrjeti të gjerë shkollash fillore e të mesme në gjuhën shqipe, për të cilat u përpoq të fitonte përkrahjen financiare edhe të Vangjel Zhapës. Por Anastas Byku, ndonëse ishte për ruajtjen e karakterit të veçantë të popullit shqiptar, u shpreh kundër zhvillimit të tij të pavarur dhe për përfshirjen e tij në gjirin e helenizmit. Rrugën e Anastas Bykut e ndoqi në fillim të veprimtarisë së vet edhe Jani Vretoja nga Postenani i Leskovikut (1822-1900), si dhe Eftim Brandi nga Korça (veproi në vitet 1860-1880).

Mendimi i Anastas Bykut, i cili e vinte lëvizjen shqiptare në vartësi të synimeve të qarqeve panheleniste, u kundërshtua nga veprimtarët e lëvizjes shqiptare, midis tyre nga Thimi Mitkoja. Lufta që zhvillonte Lëvizja Kombëtare Shqiptare në fronte të ndryshme dëshmonte për rritjen e saj ideologjike. Mendimi i rilindësve, i formuar qysh në këtë kohë, në lidhje me rrugën e veçantë historike të popullit shqiptar, u bënte jehonë kërkesave të kryengritjeve popullore kundërosmane për autonominë e Shqipërisë. Me forcimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare filluan të diferencoheshin edhe radhët e rretheve borgjeze "turkomane" e "grekomane", një pjesë e anëtarëve të të cilave u bashkua me të.

_________________
Ca pika shiu rane mbi qelq,
Per ty une befas ndjeva mall,
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi sa rrallë.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit http://eja-ti.top-forum.net
Mondi
Bordidrejtues
Bordidrejtues


Anëtarësuar Anëtarësuar : 26/11/2010
Postime Postime : 3474
Vendodhja Vendodhja : Always where I need to be...:)
Mosha Mosha : 32

MesazhTitulli: Re: HISTORIA E RILINDJES KOMBETARE    Sat Dec 25, 2010 10:54 pm

Kriza Lindore e viteve 1853-1856 dhe Shqipëria


Kryengritjet kundër Tanzimatit dhe sidomos kryengritja e madhe e vitit 1847 i kishin treguar Stambollit rrezikun që i kanosej Perandorisë nga një acarim i ri i gjendjes në Shqipëri në një kohë kur kishte filluar të rritej edhe lëvizja e përgjithshme për çlirimin kombëtar të popujve të Ballkanit dhe ishin acaruar kontradiktat e Fuqive të Mëdha lidhur me trashëgimin e "të sëmurit të Bosforit", siç quhej tashmë Perandoria Osmane. Shqetësimi i Portës ishte shtuar edhe nga interesimi që kishin filluar të tregonin për Shqipërinë shtetet e reja ballkanike dhe nga orvatjet e tyre për t'i shfrytëzuar lëvizjet kundërosmane të shqiptarëve.

Në këto rrethana, kur mund të shpërthente një konflikt ndërkombëtar, Stambolli, duke dashur të kishte në krahun e vet forcën ushtarake të shqiptarëve, që e çmonte shumë, krahas zgjerimit të propagandës panislamike mori edhe disa masa për të ulur tensionin në marrëdhëniet me shqiptarët. Autoritetet osmane në Shqipëri u urdhëruan të mos përdornin përkohësisht forcën për të zbatuar reformat. Sulltani fali një varg krerësh të burgosur ose të internuar të kryengritjes, si dhe Zenel Gjolekën. Më 1849 kapedanit të Mirditës Bibë Doda iu dha titulli pashë dhe iu njoh e drejta që të merrte pjesë në luftë me një repart të vetin, të përbërë prej afër 10 mijë luftëtarësh. Si komandantë repartesh të çrregullta u njohën edhe feudalë të tjerë, të cilëve Porta u siguroi shpërblime e grada.

Nga ana tjetër, në Shqipëri kishte filluar të shtohej gjithnjë e më shumë shqetësimi i shkaktuar nga synimet ekspansioniste të shteteve fqinje, i cili e kishte rritur gatishmërinë e popullsisë për të mbrojtur trojet e veta. Këtë rrethanë u përpoq me të gjitha mënyrat ta shfrytëzonte qeveria osmane për të nxitur urrejtjen e shqiptarëve kundër vendeve fqinje dhe për të siguruar një bashkëpunim sa më të ngushtë me ta.

Një rast i tillë u paraqit më 1852, kur Turqia i shpalli luftë Malit të Zi duke marrë shkas nga disa ndryshime në formën e shtetit që kishte bërë princi i ri Danilo. Thirrjes së sulltanit për të marrë pjesë në luftë iu përgjigjën një varg krerësh feudalë dhe bajraktarë shqiptarë, midis tyre edhe Bibë Doda, Zenel Gjoleka etj., të cilët shkuan me repartet e tyre në ndihmë të ushtrisë osmane. Por lufta nuk i solli ndonjë përfitim Stambollit. Ndonëse u sulmua edhe nga Shqipëria e nga Hercegovina, Mali i Zi, me ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha, doli nga lufta i padëmtuar. Repartet shqiptare nga ana e tyre patën humbje të ndjeshme në njerëz, midis të tjerëve u vra edhe Zenel Gjoleka.

Përleshjet e përgjakshme në kufirin turko-malazez vijuan edhe pas luftës. Ato nxiteshin nga krerët e Malit të Zi për të përgatitur truallin për aneksimin e trojeve veriore të Shqipërisë. Por sulmet malazeze ndeshën në qëndresën e vendosur të popullsisë shqiptare të këtyre krahinave.

Në mesin e shek. XIX u acarua edhe më shumë rivaliteti ndërmjet Fuqive të Mëdha evropiane për ndikimin në vendet e Lindjes së Afërme. Në këtë kohë Anglia e Franca e kishin dëbuar pothuajse krejtësisht Rusinë e prapambetur nga tregjet e kësaj zone. Por Rusia nuk kishte hequr dorë nga synimi për të shtënë në dorë Ngushticat e Dardaneleve dhe vetë Stambollin, që të shtrinte kështu më tej praninë e saj në Lindjen e Afërme e në Ballkan. Ajo priste të krijohej një gjendje ndërkombëtare e përshtatshme për ta shembur Perandorinë e sulltanëve dhe për të arritur këto qëllime. Në projektet e saj për rregullimin e ardhshëm të Turqisë Evropiane, Rusia parashikonte krijimin e forcimin e shteteve të pavarura, sllave ose përgjithësisht të krishtere, të cilat do të ishin nën ndikimin e Rusisë. Por në këto projekte nuk figuronte Shqipëria. Qeveria cariste nuk parashikonte krijimin e një shteti shqiptar dhe prandaj qëllimisht i identifikonte shqiptarët myslimanë me turqit, ndërsa ata të krishterë ortodoksë me grekët.

Politika ruse e copëtimit të Perandorisë Osmane ndeshi në kundërshtimin e vendosur të fuqive perëndimore e në radhë të parë të Anglisë e të Francës. Këto fuqi vijonin të garantonin e të përkrahnin status quo-në dhe paprekshmërinë e Turqisë, sepse po e kthenin atë në një gjysmëkoloni të tyre dhe sepse me ruajtjen e Turqisë pengohej dalja e Rusisë në Mesdhe. Kur në korrik 1853 qeveria cariste i shpalli luftë Perandorisë Osmane (Lufta e Krimesë, 1853-1856), ajo u gjend shumë shpejt përpara një konflikti të madh, në të cilin Anglia e Franca dhe më vonë edhe Mbretëria e Sardenjës morën anën e Turqisë. Pas një vargu fitoresh fillestare të Rusisë në frontin e Danubit e në det, operacionet e aleatëve të Turqisë u përqendruan në gadishullin e Krimesë dhe prandaj konflikti mori emrin Lufta e Krimesë.

Duke pasur ushtritë e saj në brigjet e Danubit, Rusia u bëri thirrje popujve ortodoksë të Ballkanit të rrëmbenin armët kundër shtypësit shekullor. Duke shpresuar se me fitoren e Rusisë ortodokse do të përmirësohej gjendja e tyre, kësaj thirrjeje iu përgjigjën vullnetarë nga vende të ndryshme ballkanike, si edhe shqiptarë ortodoksë nga Shqipëria e Jugut.

Edhe Turqia nga ana e saj u përpoq të mobilizonte forcat shqiptare me parullën e mbrojtjes së fesë islame, por nuk arriti ndonjë sukses të madh. Ajo nuk mundi të nxirrte nga Shqipëria veçse pak nizamë. Nuk dhanë fryte të dukshme edhe përpjekjet e saj për të dërguar krerët shqiptarë me forcat e tyre në frontin rus. Shumica e tyre nuk pranoi të shkonte në një front kaq të largët, siç ishte fronti i Danubit dhe preferoi t'i mbante forcat gati në rastin e një sulmi të mundshëm nga Mali i Zi ose nga Greqia. Vetëm Bibë Doda me një numër mirditasish u nis për në front, por pas disa kohësh edhe ai u kthye në vendin e vet për shkak të mosmarrëveshjeve që lindën midis tij dhe komandantit turk, Omer Pashës.

Lufta e Krimesë nxiti Malin e Zi dhe Greqinë të ndërmerrnin veprime luftarake kundër Perandorisë Osmane. Mali i Zi ndërmori disa sulme në Hercegovinë e në tokat shqiptare dhe përgatiste një goditje kundër Tivarit. Por përballë qëndresës së vendosur të shqiptarëve dhe nën presionin e fortë të Austrisë e të Francës, princi Danilo u detyrua të hiqte dorë nga kjo ndërmarrje.
Më larg shkuan veprimet e Greqisë. Megjithëse Anglia e Franca nuk e lanë të hynte në luftë kundër Portës, qeveria greke organizoi çeta të shumta të komanduara nga oficerë të ushtrisë, të cilët u futën fshehurazi në Thesali dhe në krahinat e vilajetit të Janinës për të organizuar një kryengritje kundërosmane. Ata hynë edhe në krahina të Shqipërisë, duke bërë kështu një hap të parë drejt sendërtimit me forcën e armëve të "Megali Idesë". Për këtë qëllim ajo u përpoq të shfrytëzonte urrejtjen e shqiptarëve ortodoksë kundër sundimtarëve osmanë dhe prandaj vuri në krye të lëvizjes figura të shquara të luftës për pavarësi me prejardhje arbëreshe ose nga Suli, si Theodhor Griva e Nikollë Zerva, të cilët do t'i jepnin kryengritjes në tokat shqiptare dukjen e një aleance greko-shqiptare.

Më 2 janar 1854, pasi shpallën "lirinë dhe pavarësinë" e gjithë provincave të "Greqisë së Vjetër", udhëheqësit e kryengritjes, me parullën "perandori greke ose vdekje", i ftuan banorët e këtyre krahinave të rrëmbenin armët. Kryengritësit arritën në fillim disa suksese në ato krahina ku nuk kishte ushtri të rregullt dhe ku vepronin disa feudalë shqiptarë me forcat e tyre lokale. Arta ra në duart e kryengritësve dhe një çetë e madhe andartësh?, e komanduar nga gjenerali Griva, arriti deri në Mecovë. Gjatë marshimit në viset e brendshme të vilajetit të Janinës, andartët grekë përdorën edhe forcën për t'i detyruar vendasit të bashkoheshin me ta, ndërsa në Filat persekutuan në prill të vitit 1854 disa familje shqiptare, midis të cilave edhe atë të Xhafer pashë Demit.

Por synimet aneksioniste të qeverisë greke bënë që shqiptarët t'i shmangeshin bashkëpunimit me ta dhe kryengritja të mos merrte karakter të përgjithshëm. Për më tepër, krerët shqiptarë të Jugut, ndër të cilët çelo Picari, Halit bej Frashëri, Ahmet çapari etj., duke njohur synimet pushtuese të Athinës, mobilizuan forcat e tyre dhe i thyen andartët grekë në krahinën e Artës dhe në Thesali. Nga ana tjetër, Anglia me Francën, pas protestave të Turqisë që e akuzoi Athinën për ndërhyrje në punët e brendshme të Perandorisë Osmane, e detyruan qeverinë e Athinës të hiqte dorë nga këto veprime, që ishin në dobi të Rusisë; si masë shtrënguese kundër saj, ato pushtuan me flotën e tyre Pireun, limanin kryesor të Greqisë.

Krizën e shkaktuar nga lufta ruso-turke e shfrytëzoi edhe Vjena për t'i shkëputur Portës së Lartë një varg koncensionesh dhe për të përforcuar pozitat në Shqipërinë e Veriut ku, në bazë të traktateve ndërkombëtare, ajo kishte fituar të drejtën e mbrojtjes së popullsisë katolike (i ashtuquaturi kultusprotektorat)??.

Me ndërhyrjen e Austrisë u kthye përsëri në Shkodër urdhri i jezuitëve, i dëbuar prej andej 11 vjet më parë. Me anë të një demonstrate detare përpara grykës së Bunës më 1853, Vjena e detyroi Portën të lejonte ngritjen e një seminari të jezuitëve. Disa vjet më vonë u themelua në Shkodër nën mbrojtjen e Austrisë edhe një kuvend françeskan. Nga ana tjetër, kapitali tregtar austriak po bëhej veçanërisht aktiv në Shqipëri dhe në trevat e tjera perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Kjo u pasqyrua edhe në shtimin e numrit të anijeve austriake që vinin në limanet shqiptare. Me forcimin e pozitave ekonomike e politike Austria fitoi në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor një pozitë të privilegjuar ndër Fuqitë e Mëdha.

Edhe Franca u përpoq të përforconte me këtë rast pozitat në Ballkan e të vinte nën ndikimin e saj princin Danilo të Malit të Zi dhe kapedanin e Mirditës Bibë Dodën.

Lufta e Krimesë mori fund në mars 1856 me nënshkrimin nga ndërluftuesit të Traktatit të Paqes në Paris. Në këtë Traktat u përfshinë edhe parimet themelore të Dekretit të ri perandorak (Hat-i Humajun), që sulltan Abdyl Mexhiti ishte detyruar të shpallte më 15 shkurt 1856 me shtytjen e drejtpërdrejtë të Anglisë e të Francës dhe që shënonte fillimin e periudhës së dytë të Tanzimatit. Ky dekret ritheksonte, përveç të tjerave, detyrimin e Portës së Lartë për t'u njohur popullsive të krishtere nën sundimin e saj disa të drejta administrative. Duke e përfshirë thelbin e Hat-i Humajunit në Traktatin e Paqes të Parisit (mars 1856), Anglia dhe Franca synonin t'i hiqnin Rusisë mundësinë që të ndërhynte në favor të këtyre popullsive dhe të vendosnin një kontroll të përbashkët mbi Perandorinë Osmane.


Shqipëria gjatë krizës ballkanike të viteve 60

çështja e çlirimit dhe e bashkimit kombëtar të popujve ballkanas nuk gjeti zgjidhje as me Hat-i Humajunin dhe as me Traktatin e Paqes të Parisit të vitit 1856. Përkundrazi, me këtë Traktat, Anglia, Franca dhe Austro-Hungaria u bënë garante të tërësisë territoriale dhe të pavarësisë së Perandorisë Osmane. Popujt e shtypur të Ballkanit nuk u pajtuan me këtë përmbajtje të Traktatit të Parisit, që përbënte një pengesë në luftën e tyre për çlirimin nga robëria osmane.

Një varg kryengritjesh çlirimtare shpërthyen gjatë viteve 60 në Hercegovinë, në Bullgari etj. Vetëm përpjekjet e diplomacisë së Fuqive të Mëdha perëndimore dhe prirjet shoviniste të shteteve ballkanike e shmangën mundësinë e një lufte të përbashkët të popujve të shtypur të Ballkanit kundër Perandorisë së sulltanëve.

Porta e Lartë nga ana e saj bënte çmos që ta nënshtronte principatën e vogël të Malit të Zi, e cila i kishte shkaktuar asaj kaq telashe, kurse princi Danilo organizonte vazhdimisht provokacione në kufirin turko-malazez kundër viseve shqiptare, të cilat synonte t'i aneksonte. Popullsia e Shkodrës dhe viset kufitare në veri u shqetësuan nga sulmet e çetave malazeze drejt tokave shqiptare. Edhe qarqet patriotike të vendit, me Pashko Vasën, Zef Jubanin, Oso Kukën etj. në krye, arritën në përfundimin se shqiptarët duhej të ndërmerrnin veprime mbrojtëse kundër sulmeve malazeze.

Drejt qëndresës kundër Malit të Zi i nxiste shqiptarët edhe Porta e Lartë, që ishte e interesuar të përdorte në luftë forcat e tyre. Në fillim të vitit 1862 këto provokacione çuan në shpërthimin e një konflikti kufitar, të një lufte ndërmjet Malit të Zi dhe Perandorisë Osmane. Njësitë malazeze sulmuan kullat kufitare në drejtim të fshatit Vraninë, duke djegur dhjetëra shtëpi të shqiptarëve. Në këto rrethana, disa reparte vullnetarësh u nisën për në front. Në krye të tyre u vu Oso Kuka, që qe vendosur në Vraninë si komandant i forcave vullnetare, së bashku me M. Golemin, M. Begenë, I. Koplikun etj. Forcat vullnetare mbrojtën me vendosmëri një nga kullat kryesore kufitare në Vraninë.

Më 26 shkurt 1862, pas disa ndeshjesh paraprake, u zhvilluan luftime të rrepta kundër çetave malazeze në Kërnicë. Megjithëse pësuan humbje të mëdha, forcat vullnetare, me Oso Kukën në krye, qëndruan deri në fund, vendosën të mbronin vendin qoftë edhe me flijimin e jetës së tyre. I rrethuar në një kullë të ishullit të Vraninës (buzë liqenit të Shkodrës), Osoja, për të mos rënë në duart e malazezëve, u vuri zjarr fuçive të barutit dhe u hodh në erë bashkë me luftëtarë të tjerë shqiptarë, duke vrarë edhe kundërshtarët malazezë që sulmonin kullën. Akti i tij u bë një shembull vetëmohimi për mbrojtjen e trojeve shqiptare.

Në vitet 60 qeveritë e Serbisë e të Greqisë u aktivizuan përsëri për ndarjen e trojeve të Perandorisë Osmane në Gadishullin Ballkanik, ku përfshihej edhe Shqipëria. Qysh në vitin 1861 ato hynë në bisedime për një aleancë politiko-ushtarake kundër Turqisë. Në këto bisedime, të cilat nuk patën sukses, të dyja palët i jepnin rëndësi qëndrimit të shqiptarëve si për potencialin e tyre ushtarak që e çmonin shumë, ashtu edhe për faktin se territori i Shqipërisë do të formonte hallkën ndërlidhëse midis frontit jugor grek dhe atij verior serb. Sipas fjalëve të kryeministrit serb I. Garashanin, pjesëmarrja e shqiptarëve në luftë ishte një kusht i domosdoshëm për fitoren mbi Turqinë.

Një mendim të tillë kishin edhe shumë diplomatë rusë. Njëri prej tyre, M. Hitrov, duke vlerësuar gjendjen në Shqipëri, ku vihej re një pakënaqësi e përgjithshme jo vetëm në malësitë dhe në radhët e borgjezisë së qyteteve, por edhe midis bejlerëve e pashallarëve të prekur nga administrata e re, deklaronte më 1862: "Turqia jo vetëm nuk mund të shpresojë shumë në përkrahjen e shqiptarëve, por, përkundrazi, në disa kushte të caktuara, pikërisht këtu përgatitet mbarimi i saj i shpejtë. çdo gjë varet nga kjo: A do të përgatitet Shqipëria me kohë për ngjarjet e ardhshme? A do t'i kushtohet asaj vëmendja e duhur?".

Në gjendjen e krijuar në Gadishullin Ballkanik ndikuan edhe ngjarjet që kishin ndodhur në Italinë e afërt. Në vitet 1859-1861, si pasojë e një lëvizjeje të gjerë popullore, ishte realizuar, ndonëse akoma jo plotësisht, çlirimi dhe bashkimi i Italisë në një shtet. Një rol të rëndësishëm në këto ngjarje kishte luajtur demokrati revolucionar Xhuzepe Garibaldi. Në luftë me diplomacitë e Fuqive të Mëdha, Xh. Garibaldi mendonte të zgjidhte çështjen e çlirimit dhe të bashkimit kombëtar jo vetëm të Italisë, por të të gjitha kombeve të shtypura, veçanërisht të Evropës Juglindore e Lindore, me anë të një lëvizjeje të gjerë revolucionare të vetë popujve, të cilët, sipas tij, ishin aleatë dhe duhej të harronin urrejtjet, grindjet e paragjykimet kombëtare e fetare. "çështja e lirisë është një e vetme, cilido që të jetë populli që e mbron. Kur ta kenë kuptuar të gjithë popujt këtë të vërtetë ..., atëherë mbretëria e despotizmit do të marrë fund përgjithmonë ... Kur të jetë përmbysur më në fund krenaria e Habsburgëve dhe të jetë dëbuar osmani barbar në shkretëtirat e tij, Adriatiku do të banohet në të dy brigjet prej popujsh të lirë, të denjë të duhen e të kuptohen si vëllezër ...", deklaronte Garibaldi në një proklamatë të vitit 1862.
Vëmendja e revolucionarëve italianë u drejtua edhe nga Shqipëria. Arbëreshët e Sicilisë e të Kalabrisë, të cilët kishin luajtur një rol me rëndësi në lëvizjen për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të Italisë dhe ishin të lidhur me Garibaldin, shërbyen në këtë rast si ndërmjetës për vendosjen e lidhjeve ndërmjet revolucionarëve italianë e shqiptarë.

Qendra kryesore për organizimin e bashkëpunimit ndërmjet Italisë dhe Ballkanit u krijua në Korfuz. Emisarët italianë filluan të përshkonin Shqipërinë dhe provincat e tjera ballkanike të Perandorisë Omane. Me kërkesën e shqiptarëve, Garibaldi filloi të dërgonte armë në Shqipëri. Ai parashikonte t'i zbarkonte forcat e veta diku në bregun e Shqipërisë dhe, duke u bashkuar me forcat vendase, të niste marshimin drejt veriut.

Kjo ekspeditë, sipas mendimit të revolucionarit të shquar italian, do ta ndihmonte popullin shqiptar, që ai e çmonte si popull trim, të fitonte lirinë dhe do ta vinte diplomacinë evropiane, që nuk ishte për një kryengritje, përpara një fakti të kryer.

Por diplomacia evropiane dhe vështirësitë e brendshme e penguan një zhvillim të tillë të ngjarjeve. Këtë lëvizje u përpoqën ta shfrytëzonin qarqet qeveritare italiane për shtrirjen e ndikimit të Romës në bregun lindor të Adriatikut, ndërsa qeveria greke me anën e saj shpresonte të realizonte "Idenë e Madhe". Greqia dërgoi emisarët e vet në Thesali dhe në vilajetin e Janinës për të drejtuar veprimet e bandave të andartëve grekë në këto krahina. Përpjekjet e saj për të gjetur mbështetje te shqiptarët, që tanimë i njihnin synimet aneksioniste të Athinës, nuk dhanë rezultat, ndërsa komitetet greko-shqiptare, që arriti të ngrejë ajo më 1862, siç ishin ai i Janinës dhe i Durrësit, nuk u vunë në shërbim të politikës së Athinës. Komiteti i Durrësit, më 15 korrik 1862, doli botërisht me anën e një promemorjeje, drejtuar opinionit publik evropian, kundër synimeve të Athinës për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, shpalli se shqiptarët, edhe pse çështja e tyre nuk po përkrahej nga diplomacia evropiane, ishin të vendosur të luftonin, nën flamurin e Skënderbeut për të çliruar atdheun e tyre.

Porta e Lartë, e alarmuar nga mundësia e një zbarkimi të garibaldinëve, mori masa ushtarake duke bllokuar me flotën e saj bregdetin shqiptar dhe duke lidhur një marrëveshje me Austrinë për të luftuar së bashku çdo lëvizje revolucionare në Ballkan.

Pas disfatës që pësoi Austria në luftën kundër Prusisë më 1866 dhe duke marrë shkas nga kryengritja e popullsisë greke të Kretës që shpërtheu po atë vit kundër zgjedhës osmane, Rusia filloi të bënte përsëri një politikë aktive në Ballkan. Duke synuar të vendoste ndikimin e saj në këtë zonë, diplomacia ruse kërkoi nga Porta njohjen e autonomisë së popujve të krishterë të Perandorisë.
Me memorandumet e kancelarit Gorshakov të datës 12 mars dhe 18 prill 1866, qeveria ruse, duke u bërë një kritikë të ashpër reformave të deriatëhershme centraliste, paraqiste një projekt për krijimin e katër provincave të mëdha autonome në Turqinë Evropiane, që do të kishin të drejta mjaft të gjera vetëqeverisjeje. Por projekti rus e mbështeste parimin e autonomisë mbi fenë e popullsisë. Asnjëra nga provincat nuk do të kishte karakter homogjen nga pikëpamja etnike.
Shqipëria e Veriut dhe Kosova parashikohej të bashkoheshin me Bosnjën dhe Hercegovinën me popullsi sllave, kurse Shqipëria e Jugut me Thesalinë dhe me krahinat e vilajetit të Janinës.
Politika ruse përpiqej njëkohësisht të krijonte në Shqipëri edhe një vatër të dytë kryengritjesh pranë Kretës, për ta ashpërsuar edhe më tej krizën. Diplomatët rusë u vunë në lidhje me disa feudalë shqiptarë të pakënaqur; ndër ta ishte edhe Xhelal pashë Mati, i cili rronte në Stamboll nën vëzhgimin e Portës. Pashai shqiptar i premtoi Rusisë se do të mobilizonte forca të rëndësishme shqiptare për një kryengritje me kusht që të kishte përkrahjen financiare dhe politike të Rusisë. Qeveria ruse e vuri pashën e Matit në lidhje me qeverinë serbe, e cila e siguroi se do ta përkrahte në përpjekjet për t'u bërë sundimtar i pavarur i vendit të tij. Lidhje të tilla qeveria serbe krijoi edhe me disa krerë bajraktarë të Veriut e të Dibrës.

Meqë ndërhyrja energjike e Anglisë nuk e lejoi të merrte pjesë haptazi në konfliktin midis Portës dhe kretasve, qeveria greke filloi të hidhte andartë në Thesali dhe në vilajetin e Janinës. Qeveria e Athinës edhe kësaj radhe u përpoq të gjente mbështetje në viset e banuara nga shqiptarët. Por propaganda e saj, ashtu si edhe më parë, doli me parullën për formimin e një Greqie të Madhe, që kësaj here shtrihej "nga gjiri i Burgasit në Detin e Zi e deri në Shkodrën e Shqipërisë në detin Adriatik", gjë që jo vetëm e bëri të pamundur çdo afrim me shqiptarët, por shkaktoi edhe kundërshtimin e vendosur të tyre.

Pas dështimit të bisedimeve serbo-greke të vitit 1861 dhe të nismave të tjera që u morën më 1862 e më 1863 për një luftë të përbashkët kundër Turqisë, qeveritë e Athinës e të Beogradit i rifilluan ato në janar të vitit 1867 dhe i përfunduan më 26 korrik të atij viti me një traktat të nënshkruar në qytetin austriak Vëslau dhe me një konventë ushtarake që u nënshkrua në Athinë më 28 shkurt 1868.
Gjatë këtyre bisedimeve të dy palët hynë në pazarllëqe për ndarjen e territoreve dhe i trajtuan si plaçkë tregu sidomos tokat shqiptare. Qysh në fillim ato u morën vesh që Greqia nuk do ta kundërshtonte aneksimin nga Serbia të Bosnjës, të Hercegovinës dhe të Shqipërisë Veriore gjer në Durrës, kurse Serbia do të pranonte bashkimin e Thesalisë, të Epirit (ku përfshihej Shqipëria Jugore dhe e Mesme deri në Durrës), të Maqedonisë, të Thrakës dhe të ishujve të Egjeut me Greqinë. Këto ishin kërkesat e tyre maksimale që do të shërbenin si bazë për ndarjen territoriale pas fitores së luftës kundër Turqisë, kurse në traktat u përfshinë zyrtarisht kërkesa më të moderuara. Gjatë të gjitha bisedimeve, si edhe në dokumentet përfundimtare, shqiptarëve u kushtohej një vëmendje e veçantë. Të dy palët merrnin përsipër të punonin me të gjitha mjetet për t'i pasur ata me vete në rastin e konfliktit me Turqinë, d.m.th. për t'i hedhur shqiptarët në një luftë, fitorja e së cilës do të çonte në copëtimin e atdheut të tyre.

Megjithatë, këto projekte për ndarjen e Shqipërisë ndërmjet Serbisë e Greqisë nuk u realizuan në atë kohë. Ato do të ringjalleshin për t'u vënë në jetë gjatë Krizës Lindore të viteve 70 dhe luftës ruso-turke të 1877-1878-ës, që përfundoi me disfatën e plotë të Perandorisë Osmane.

_________________
Ca pika shiu rane mbi qelq,
Per ty une befas ndjeva mall,
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi sa rrallë.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit http://eja-ti.top-forum.net
Mondi
Bordidrejtues
Bordidrejtues


Anëtarësuar Anëtarësuar : 26/11/2010
Postime Postime : 3474
Vendodhja Vendodhja : Always where I need to be...:)
Mosha Mosha : 32

MesazhTitulli: Re: HISTORIA E RILINDJES KOMBETARE    Sat Dec 25, 2010 10:55 pm

5. ACARIMI I MARRËDHËNIEVE TË SHQIPTARËVE ME SUNDIMTARËT OSMANË DHE QËNDRESA NDAJ TYRE
(VITET 1850-1873)


Pasojat e Tanzimatit në Shqipëri

Qëndresa kundërosmane e popullsisë shqiptare, megjithëse nuk pati shtrirjen e kryengritjeve të dhjetëvjeçarëve të mëparshëm, nuk reshti as në vitet 50-60 të shek. XIX. Reformat që sulltani shpalli me Dekretin perandorak (Hat-i Humajun) të 18 shkurtit 1856, që shënoi fillimin e periudhës së dytë të Tanzimatit, nuk e përmirësuan gjendjen e popullsisë shqiptare dhe si rrjedhim nuk zhdukën truallin për shpërthimin e kryengritjeve të reja. Dekreti i ri ishte vazhdim i reformave të Aktit të Gjylhanesë (viti 1839), të cilat nuk arritën të viheshin në jetë. Ai shpalli përsëri barazinë e të gjithë shtetasve osmanë, myslimanë e të krishterë, sigurimin për të gjithë, pa dallim feje, të paprekshmërisë së personit, të nderit e të pasurisë; vendosi të formonte gjyqe të hapura, të ndalonte konfiskimin e pasurisë së të paditurve; të krijonte gjykata të përziera, të fuste të krishterët në këshillat administrative, në shërbimin shtetëror e në shkolla ushtarake; shpalli barazinë e shtetasve në pagesat e taksave, krijimin e buxhetit shtetëror, të sistemit bankar etj.
Zbatimi i këtyre reformave, të deklaruara me kërkesën e Fuqive të Mëdha, do të sillte ndryshime në jetën politiko-shoqërore të Perandorisë Osmane duke e afruar sistemin e saj shtetëror me atë të vendeve të Evropës. Por kjo Perandori, që mbeti në thelb një shtet me një regjim absolutist e teokratik të prapambetur dhe me një ekonomi gjysmëfeudale, nuk ishte në gjendje t'i vinte në jetë ato. Përveç masave për riorganizimin e administrimit të vendit dhe të ushtrisë, reformat e tjera mbetën në letër, ashtu si ato të 1839-ës. Kështu, megjithëse parashikonin trajtimin e barabartë të shtetasve, ato nuk sollën ndonjë përmirësim thelbësor në gjendjen e tyre, nuk siguruan barazinë e shpallur me bujë dhe nuk u dhanë të drejtat më elementare as shqiptarëve si komb, as edhe popujve të tjerë joturq. Ndryshime u bënë në përmirësimin e legjislacionit osman, që filloi të hartohej sipas shembullit të atij francez, si edhe në administrimin e vendit. Por ligjet e miratuara vijuan të mos zbatoheshin, ndërsa reforma në administratë synonte të forconte pushtetin e centralizuar osman mbi popujt e robëruar. Përveç kësaj, zbatimi i reformave u shoqërua, ashtu si në vitet 30-40 me rritjen e taksave dhe me vendosjen e detyrimeve të reja, që rëndonin sidomos mbi fshatarësinë dhe mbi vegjëlinë e qyteteve.
Rrjedhojat e reformave të reja u ndjenë edhe në Shqipëri. Prej mesit të viteve 50 dhe në vitet 60 u përforcua edhe më tej administrata e re dhe masat e saj shtypëse në trevat e ndryshme të vendit. Ndarja e re administrative e vitit 1864 në vilajete, si njësi më të vogla se ato të mëparshmet, e theksoi centralizimin e pushtetit osman. Në krye të nëndarjeve të vilajeteve, të sanxhakëve (prefekturave), të kazave (nënprefekturave) dhe të nahijeve (komunave) qëndronin tani nëpunës civilë të dërguar nga qendra, në shumicën e rasteve turq. Centralizimi burokratik i administratës nuk zbutej edhe pse, për të përmbushur premtimet e dekretit të ri perandorak të vitit 1856, Porta ishte e detyruar të krijonte pranë organeve lokale këshillat administrativë, të cilët mbetën krejtësisht formalë. Në një varg qytetesh qeveritarët osmanë nuk i pranonin fare të krishterët në mbledhjet e këshillave administrativë.
Porta e Lartë u përpoq të vinte nën kontrollin e drejtpërdrejtë të administratës së re edhe krahinat malore të Veriut. Si hallkë të ndërmjetme, në fund të viteve 50, Porta krijoi pranë valiut të Shkodrës një komision të Xhibalit (Malësisë), në të cilin u emëruan si anëtarë me rrogë përfaqësues nga secili prej 26 bajrakëve të vilajetit të Shkodrës. Si anëtarë të komisionit Porta caktoi edhe 26 bylykbashë nga paria feudale turkomane e Shkodrës, të cilët do të shërbenin si komisarë qeveritarë për bajrakët. Me anë të këtij komisioni qeveria shpresonte të kufizonte autonominë e zonave malore. Edhe pse veprimtaria e komisionit të Xhibalit u përqendrua në qytetin e Shkodrës dhe çdo orvatje për ta zgjeruar atë hasi në qëndresë të armatosur, qeveritarët osmanë bënë presion të vazhdueshëm mbi Malësinë duke e ngushtuar pak nga pak autonominë e saj.
Synimi kryesor i administratës së re turke ishte të siguronte pagesën e taksave dhe mbledhjen e rekrutëve nga të gjitha krahinat. Për të përballuar shpenzimet e mëdha që kërkonte mbajtja në këmbë e aparatit burokratik e ushtarak, për të vënë në vend të ardhurat fiskale të pakësuara me humbjet tokësore që kishte pësuar dhe, më në fund, për të paguar kamatat e huave ndërkombëtare, Stambollit nuk i mbetej tjetër rrugë veç asaj të shtrëngimit të darës së taksave. Kështu, shuma e taksave të nxjerra nga popullsia e Perandorisë, e cila më 1850 kishte qenë 2,5 milionë lira ari, më 1860 arriti në katër milionë dhe vijonte të rritej. Ministria e Financave, në caktimin e shumës së taksave që do të nxirreshin nga popullsia, nuk nisej nga gjendja e numri i kontribuesve, por nga nevojat e veta. Shtoheshin llojet e taksave, por rritej sidomos shuma e kërkuar. Veçanërisht e dëmshme ishte mënyra e nxjerrjes së taksave me anën e iltizamit. Me shitjen dhe rishitjen në ankand të së drejtës së mbledhjes së taksave myltezimëve më të vegjël, e dhjeta arrinte deri në një të pestën e prodhimit. Ajo vinte vazhdimisht duke u shtuar, për arsye se çdo vit për ofertat e blerjes merrej zakonisht si pikënisje maksimumi i arritur në vitet e kaluara.
Taksa e vergjisë, që paguhej për pasurinë e patundshme (shtëpi, kopshte, dyqane) dhe për disa kategori të caktuara të ardhurash, shtohej gjithashtu vazhdimisht. Më 1863, në sanxhakun e Ohrit, që përfshinte edhe një pjesë të Shqipërisë Juglindore, vergjia u shtua në krahasim me vitin e mëparshëm nga 350 000 në 420 000 groshë, domethënë 20 për qind.
Taksa e veçantë që paguanin të krishterët meshkuj prej 12 deri 60 vjeç për zëvendësimin e shërbimit ushtarak (bedel-i askerie) në qytetin e Shkodrës u shtua nga 45 000 groshë që ishte në vitet 30, në 100 000 më 1856.
Për të rritur të ardhurat, Porta përqendroi në duart e veta në formë monopolesh shtetërore tregtinë e një vargu artikujsh të përdorimit të përditshëm, siç ishin kripa, plumbi, duhani, baruti dhe peshku, duke i ngarkuar ato me taksa të veçanta.
Përveç taksave shtetërore, popullsia e qyteteve paguante edhe një varg taksash komunale, si taksën e peshimit në treg, taksën policore etj. Më në fund rëndonte mbi gjithë meshkujt (prej 16 deri në 60 vjeç), taksa e rrugës, detyrimi për katër ditë pune angari në vit bashkë me kafshët e punës, detyrim që kryhej edhe në viset më të largëta.
Shtimi i tatimeve, ngarkimi i çdo veprimtarie ekonomike me taksa të reja etj., e ngritën në vitet 1850-1870 koston e jetesës në mënyrë shumë të ndjeshme. Në këtë ndikoi edhe zhvleftësimi i vazhdueshëm i monedhës turke, e cila ra deri në 40-50 për qind të vlerës së saj, meqenëse qeveria nxirrte bankënota (kamje) pa pasur mbulesën e duhur në ar.
Pjesa më e madhe e shumave që nxirreshin nga Shqipëria dhe nga provincat e tjera shkonin në Stamboll për të kënaqur lakmitë e tepruara për të holla të sulltan Abdyl Azizit (1861-1876) dhe të oborrtarëve të tij. Por edhe kërkesat për të holla të funksionarëve të lartë të Portës në provinca nuk ishin të pakta. Ata i kënaqnin lakmitë me abuzime të drejtpërdrejta ose duke marrë pjesë si ortakë në spekulime. Këto abuzime nxiteshin edhe nga praktika e Portës, e cila me qëllim i ndërronte shpesh funksionarët e saj në provinca, sepse caktimi në funksionet e larta bëhej me anë "peshqeshesh" në të holla për sulltanin. Qeveritarit të një province, zakonisht, nuk i mjaftonin as dy vjet për të nxjerrë shpenzimet e këtij "peshqeshi" dhe për të rregulluar financat e veta; nga ana tjetër, ai ishte i detyruar të nxirrte shuma sa më të mëdha taksash nga provinca e tij për të ruajtur favorin e sulltanit. Prandaj ardhja e çdo funksionari të ri shënonte një katastrofë për provincën. Nga ndërrimet e funksionarëve të lartë e pësoi në mënyrë të veçantë vilajeti i Shkodrës, ku brenda 40 vjetëve (1831-1871) u emëruan 52 valinj.
Vilajeti i Janinës, që përfshinte, ndër të tjera, gjithë Shqipërinë e Jugut (me përjashtim të rrethit të Korçës e të Pogradecit), në vitet 60 paguante rreth 22 milionë groshë, nga të cilët shkonin në Stamboll më shumë se gjysma. Në fillim të viteve 70, shuma që paguante kjo krahinë kishte arritur në afër 30 milionë, nga të cilët dy të tretat shkonin në Stamboll.
Dërgimin në Stamboll të shumave të mëdha, që nxirreshin nga provincat, autoritetet osmane e motivonin me nevojën për të mëkëmbur një aparat shtetëror modern, për ndërtim rrugësh, për sigurimin e "rendit dhe të qetësisë" etj. Në të vërtetë vendi ishte mbushur me banda kusarësh, krerët e të cilëve binin shpeshherë në marrëveshje me vetë qeveritarët osmanë dhe feudalët vendas. Plaçkitjet e vrasjet ishin diçka e zakonshme jo vetëm në fshatra, por edhe në qytete e sidomos e pësonte popullsia e krishtere. Vetëm një pjesë e borgjezisë së pasur kishte mundësi t'u shpëtonte këtyre përdhunimeve, duke siguruar me pagesë "mbrojtjen" nga ana e konsullatës së ndonjë shteti evropian ose nga vetë kusarët. Edhe ajo pjesë e taksave që mbetej në vend nuk përdorej për qëllime prodhuese por, para së gjithash, për mbajtjen e aparatit parazitar burokratik.
Shfrytëzimi i egër feudal, shtypja dhe abuzimet e administratës së re, e keqësuan në kulm gjendjen ekonomike të popullsisë. Udhëtarë të huaj, që kanë kaluar nëpër Shqipëri gjatë viteve 1860-1875, kanë vënë në dukje se mjerimi i fshatarësisë në disa krahina ishte aq i madh, saqë, siç thoshte konsulli rus Trojanovski, "prindërit i çojnë fëmijët e tyre në pazar për t'i shitur. Edhe familje që kanë qenë dikur mirë, kanë rënë në gjendje lypësish". "S'është aspak për t'u çuditur, - shkruante Jonin, një tjetër diplomat rus, - përse fshatari i mjerë, duke jetuar në një gjendje të tillë, humbi çdo shije dhe dëshirë për punë...". Në këto kushte u rrit zemërimi e urrejtja kundër sundimtarëve osmanë dhe feudalëve turq, që thirreshin me emrin përbuzës "halldupë" (të trashë, të pangopur) ose "konjarë" (nga qyteti Konja i Anadollit, me kuptimin "njerëz të këqinj").
Fshatarë të veçuar rrëmbenin armët, dilnin maleve dhe përpiqeshin të hakmerreshin kundër shtypjes së rëndë nga ana e organeve shtetërore. Lëvizja e "kaçakëve", si shprehje e protestës shoqërore e kombëtare që njihej qysh shumë kohë përpara, mori përpjesëtime më të mëdha. Një shprehje të kësaj ndjenje të përgjithshme e jepte në vitin 1865 dervishi bektashi Ali me anë të një vjershe, e cila është një dëshmi e gjallë e patriotizmit popullor të kësaj kohe:
... Ky halldupi, ky konjari, bukën tonë po na ha, / Xhveshur, zbathur na ka lënë, lakuriq pa një para. / Gjithë halldupët pashallarë, të mëdhenj e si të zotë. / Shqipëtari s'ka të mbajë asnjë feste më kokë. / Gjynah, pra, nga perëndija të punojë shqipëtari / Dhe të hajë e të pijë e të bëjë rehat konjari ...




Revolta e popullsisë së Shkodrës më 1854

Gjendja e keqe ekonomike dhe abuzimet e papërmbajtura të administratës së re osmane në Shkodër i dhanë shkas shpërthimit në këtë qytet të një revolte të fuqishme të popullsisë.
Gjatë viteve 1851-1852, valiu i ri Masar Pasha ua dyfishoi të krishterëve të qytetit taksën "nizamie", të përjashtimit nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, një pjesë të mirë të së cilës e merrte për vete. Protestat që popullsia bëri në Stamboll kundër këtij veprimi arbitrar nuk dhanë rezultat. Shpallja në Shkodër, në pranverën e vitit 1854, e një fermani të sulltanit për barazinë e të drejtave të nënshtetasve të krishterë me ata myslimanë, nuk e qetësoi gjendjen, sepse Masar Pasha dhe administrata e tij vijonin të grabisnin popullsinë. Përveç kësaj, një burim tjetër pasurimi për qeveritarët turq u bë spekulimi me tregtinë e drithit sidomos më 1854, kur zhvillohej Lufta e Krimesë (1853-1856) dhe vijonin konfliktet me Malin e Zi. Duke bashkëpunuar ngushtë me ta, sipërmarrësit e tregtarët e grumbullonin drithin dhe e shisnin me leverdi jashtë vendit. Pasoja e menjëhershme e këtij veprimi ishte ngritja e çmimeve të artikujve ushqimorë e sidomos e çmimit të drithit, që edhe në kohën e lëmit u dyfishua në vend që të ulej. Përveç mungesës së drithit gjendjen në Shkodër e keqësoi edhe më shumë detyrimi i popullsisë për të mbajtur me ushqime 20 mijë ushtarë osmanë që ndodheshin në kufirin turko-malazez. Shkodrës po i kanosej zija e bukës. Pakënaqësia e shtresave të varfra shpërtheu haptazi, kur në qytet ndodhën vdekjet e para nga uria. Më 7 gusht 1854 vegjëlia qytetare e udhëhequr nga Hasan Alia, klerik i ri që do të njihet më vonë me emrin Sheh Shamia, organizoi një mbledhje të gjerë, ku kërkoi ndalimin e eksportit të drithit, uljen e çmimeve dhe dënimin e spekulatorëve. Por valiu nuk mori asnjë masë. Të nesërmen, më 8 gusht, një turmë e madhe prej disa mijëra zejtarësh e punëtorësh të varfër vërshoi në treg, i cili u mbyll, ndërsa qeveritarët u detyruan të tërhiqeshin në kala. Demonstruesit hapën hambarët dhe ua shpërndanë drithin banorëve të varfër. Sheh Shamia dha shembullin duke hapur i pari hambaret e babait të vet. Një ditë më vonë, vegjëlia e armatosur organizoi një demonstratë të madhe dhe kërkoi largimin e valiut nga qyteti. Atëherë ndërhyri konsulli i Francës, i cili bëri çmos që të shpërndante të revoltuarit, duke vënë në dukje rrezikun që mund t'i vinte Shkodrës nga revolta për shkak të gjendjes së luftës dhe qëndrimit kërcënues të Malit të Zi.
Pas mbarimit të veprimeve ushtarake në kufirin me Malin e Zi, Porta e zëvendësoi Masar Pashën, dërgoi në Shkodër valiun e ri, gjeneralin Mustafa Pasha, me 10 000 ushtarë nizamë, që ndërmori arrestime në masë. Sheh Shamia mundi të largohej fshehurazi nga Shqipëria, kurse drejtuesit e tjerë të revoltës u internuan.Valiu ndaloi eksportimin e drithit nga qyteti i Shkodrës. Megjithatë, edhe pse kishte forca të shumta ushtarake, valiu nuk guxoi të zbatonte reformat e Tanzimatit në Shkodër.



Kryengritja e Dibrës dhe revolta e Shkodrës kundër Tanzimatit (1860-1861)

Në vitet 60 të shek. XIX marrëdhëniet ndërmjet sundimtarëve osmanë dhe popullsisë së Shqipërisë së Veriut u acaruan përsëri në një shkallë të tillë, sa shkaktuan shpërthimin e një vargu konfliktesh të reja të armatosura.
Pakënaqësia e popullsisë ndaj administratës së re dhe qëndresa kundër saj, që nuk ishin shuar dhe vijonin të shfaqeshin në forma të ndryshme, e kishte detyruar pushtetin osman që të vepronte në mënyrë të matur. Kur nga fundi i viteve 50 Porta e Lartë ndërmori veprime të reja për të shtrirë kudo, në Shqipërinë e Veriut, administratën e re dhe për të zbatuar me forcë reformat, ajo ndeshi përsëri në kundërshtimin e vendosur jo vetëm të malësorëve, por edhe të banorëve të qytetit të Dibrës, të Shkodrës e të qyteteve të Kosovës.
Në pranverën e vitit 1860 Porta filloi veprimet ushtarake në malësitë e Dibrës. Ajo gjeti atje kushte të favorshme për arritjen e qëllimeve të saj, sepse përfitoi nga konflikti që kishte shpërthyer ndërmjet dibranëve, i nxitur nga një pjesë e klerikëve fanatikë e konservatorë myslimanë të ritit synit. Këta i luftonin si heretikë të rrezikshëm bektashinjtë e Dibrës dhe udhëheqësin e tyre Sheh Fejzën nga Bulqiza, të cilët, ashtu si gjithë sekti i bektashinjve, ishin në konflikt me dogmat synite dhe me shtetin osman që i përkrahte ato. Në të vërtetë konflikti, që në pamjen e jashtme kishte karakter fetar, në thelb kishte të bënte me qëndrimin ndaj politikës së Portës së Lartë në Shqipëri. Kleri i lartë synit i Dibrës ishte vendosur përkrah qeverisë dhe reformave. Me qeverinë osmane ishin bashkuar edhe disa çifligarë e tregtarë të qytetit të Dibrës së Madhe, si dhe disa bajraktarë, ndërsa bektashinjtë mbanin anën e fshatarëve kryengritës. Në krye të tyre u vu Sheh Fejza, që punonte për të ngjallur në popull ndjenjën kombëtare, duke nxitur shkrimin e gjuhës shqipe dhe përpjekjet për një alfabet të veçantë të saj.
Në këto rrethana, ekspedita osmane, e komanduar nga Abdi Pasha, mundi të hynte pa pengesë në qytetin e Dibrës së Madhe. Vetëm krahina e Grykës së Madhe rroku armët. Në një ndeshje që u bë në fshatin Xixull, malësorët e kësaj zone, të udhëhequr nga Sheh Fejza, zhvilluan luftime të ashpra, por kryengritësit u thyen, ndërsa Sheh Fejza i plagosur ra rob. Shtypja e kryengritjes u shoqërua me nje terror të egër, u dogjën fshatrat që bënë qëndresë, si Xixulli e Bulqiza.
Qeveria osmane e shtriu me forcë zbatimin e reformave edhe në trevat deri atëherë të panënshtruara. Në qytetin e Dibrës së Madhe u vendosën funksionarë turq të ardhur nga Stambolli. Pas kësaj filloi rritja e taksave. Në vitin 1863 Porta merrte prej Dibrës 3 000 qese (1 qese = 500 groshë) në vend të një shume të përgjithshme vjetore prej 100 qesesh që kishte marrë që nga viti 1831.
Një problem shqetësues për Stambollin vijonte të ishte Shkodra me malësitë e saj të krishtere. Në fillim të viteve 60 reformat pothuajse nuk ishin zbatuar as në krahinën e Shkodrës, as edhe në qytet. Në vjeshtën e vitit 1860, administrata osmane, nën pretekstin e vendosjes së rendit publik, u orvat të bënte çarmatimin e popullsisë së qytetit e të zonës fushore dhe t'i hapte rrugë zbatimit të masave të tjera. Këto përpjekje ndeshën në kundërshtimin e vendosur të banorëve të Shkodrës, të cilët edhe pa këto veprime të reja ishin të pakënaqur nga politika fiskale e qeverisë dhe nga shpërdorimet financiare. Abuzime të mëdha bëri administrata lokale gjatë zbatimit të sistemit të ri tatimor. U morën nga tregtarët e zejtarët e Shkodrës pa pagesë mallra në vlerën prej 30 000 qesesh, ndërsa drejtori i financës së vilajetit të Shkodrës, Talat Beu, kishte përvetësuar në mënyrë të paligjshme 526 948 groshë. Popullsia e Shkodrës duhej të përgjigjej me mjete financiare për mbajtjen e ushtarëve në kufirin me Malin e Zi, sepse autoritetet lokale nuk ishin në gjendje të mbronin popullsinë civile nga cubat malazezë. Gjendja u rëndua edhe për shkak të prodhimeve bujqësore të këqija të vitit 1860. Në këto rrethana do të duhej vetëm një shkëndijë që pakënaqësia të kthehej në revoltë të hapur.
Në vjeshtën e vitit 1861 Porta filloi përsëri orvatjet për të zbatuar këtu reformat që kishin mbetur pezull. Gjithnjë me pretekstin se kërkonte vendosjen e rendit publik, Porta nisi të çarmatoste popullsinë e qytetit dhe të fushave, për t'i hapur rrugën zbatimit të masave të tjera, por ndeshi në kundërshtimin e shkodranëve, të cilët në çarmatosjen shihnin heqjen e çdo mundësie për t'u mbrojtur si nga grabitjet dhe zullumet e administratës, ashtu edhe nga sulmet e herëpashershme të Malit të Zi. Qytetarët e Shkodrës, duke qenë të armatosur, ngritën krye, mbyllën tregun, i detyruan forcat osmane të tërhiqeshin nga qyteti e të mbylleshin në kështjellë, prenë lidhjen telegrafike me Stambollin dhe e shpallën valiun, Abdi Pashën, të rrëzuar nga pushteti. Me qytetarët u bashkuan edhe malësorët. Ndonëse Abdi Pasha kishte pranë 12 batalione nizamësh, një regjiment kalorësie dhe disa mijëra ushtarë toskë, të rekrutuar për të mbrojtur kufirin me Malin e Zi, nuk guxoi të ndeshet me të revoltuarit, por kërkoi përforcime të reja, pesë batalione të tjera. Me ndërhyrjen e zëvendëskadiut turma, pasi iu premtua se Abdi Pasha do të jepte dorëheqjen, u shpërnda. Ndërkaq, qeveritari osman nuk pranoi të largohej. Ky qëndrim e acaroi edhe më shumë gjendjen në Shkodër.
Myslimanët e të krishterët e qytetit, të bashkuar, i dërguan sulltanit një memorandum ku shprehnin zemërimin e tyre kundër administratës së vendit, e cila, në emër "të rregullit e të rendit publik", e rëndonte popullin me ngarkesa të reja fiskale. Vendi, deklaronin shkodranët, s'kishte as rrugë, as gjyqe të paanshme, as siguri nga kusarët që ishin turrur mbi të. Administrata nuk ishte në gjendje të mbronte vendin, jetën dhe pasurinë e banorëve nga sulmet e çetave malazeze, që sa vinin e bëheshin më të shpeshta.
Në kushtet kur edhe marrëdhëniet me Malin e Zi ishin të acaruara, Porta e Lartë u përpoq ta mbyllte sa më parë këtë konflikt. Për këtë dërgoi si komisar me kompetenca të plota Xhevdet Pashën, me prejardhje nga Korça, historian i njohur, autor i "Historisë së Perandorisë Osmane" në 12 vëllime (1764-1825). Me të mbërritur në Shkodër, Xhevdet Pasha lexoi urdhrin e kryeministrit për largimin e Abdi Pashës dhe për emërimin e Reshit pashë Misirit në vend të tij. Në saje të qëndrimit të matur Xhevdet Pasha mundi të vendoste përkohësisht qetësinë në qytetin e Shkodrës.
Krahas kësaj, duke njohur nga afër gjendjen dhe potencialin e madh ushtarak të popullsisë së Shkodrës në rast të një konflikti osmano-malazez, ai i rekomandoi Portës së Lartë që ta trajtonte Shkodrën më me kujdes e me vëmendje, por ajo nuk i mori parasysh këshillat e tij.
Por edhe pse këto kryengritje u shtypën përsëri, popullsia nuk u pajtua asnjëherë me politikën e egër të qeverisë osmane. Kjo e detyroi të dërgonte herë pas here ekspedita ushtarake kundër malësive të Shkodrës, të Prizrenit, të Gjakovës dhe të Dibrës, të cilat mbetën edhe më tej vatra të ndezura të qëndresës popullore.

Lëvizja e vitit 1862 në Mirditë

Qëndresa e vendosur që vijonte t'i bënte popullsia e Shkodrës dhe e malësive të saj politikës shtypëse të administratës së re osmane, frymëzoi një grup intelektualësh të rinj shkodranë, të cilët u vunë në lëvizje për t'i dhënë luftës çlirimtare kundërosmane një karakter më të organizuar. Ky grup përbëhej nga Zef Jubani, Pashko Vasa dhe nga disa klerikë katolikë atdhetarë, si abati i Mirditës Gaspër Krasniqi etj. Në nismën e këtij grupi ndikuan lëvizjet për çlirimin kombëtar që po zhvilloheshin në vendet fqinje e në Itali, si dhe kontaktet e revolucionarëve italianë me rrethet patriotike shqiptare. Ata ishin frymëzuar nga shembulli i bashkimit të territoreve italiane rreth krahinës së Piemontit, që çoi në formimin e shtetin të njësuar italian.
Sipas planit të hartuar nga grupi i intelektualëve shkodranë, kryengritja kombëtare shqiptare, që do të ishte njëherazi pjesë përbërëse e lëvizjes së përgjithshme kundërosmane në Ballkan, duhej të shpërthente në Mirditë në pranverën e vitit 1862 dhe prej këtej do të shtrihej edhe në malësitë e tjera. Për realizimin e këtij plani ata mbështeteshin në gatishmërinë për luftë që kishin prej kohësh popullsitë e armatosura të Malësisë, në rrethanat e krijuara nga gjendja e luftës me Malin e Zi, që i lidhte duart Perandorisë Osmane, si edhe në ndihmën që shpresonin të kishin nga Franca. Në të vërtetë, Napoleoni III prej disa kohësh kishte filluar t'i ndiqte me interes ngjarjet në Ballkan, me qëllim që ta rivendoste përsëri ndikimin e Perandorisë Franceze në Lindje. Në konfliktin malazezo-turk Franca përkrahu principatën e vogël, por nuk i kurseu as premtimet e ndihmat për Shqipërinë e veçanërisht për Mirditën, e cila, për numrin e bajrakëve, për potencialin luftarak më të madh dhe për ndikimin që kishte ndërmjet malësive të tjera, kishte tërhequr vëmendjen e perandorit francez.
Sipas mendimit të grupit shkodran, kapedani i Mirditës Bibë Doda duhej të ngrinte i pari flamurin e kryengritjes dhe të shpallte një principatë shqiptare autonome ose të pavarur, rreth së cilës më vonë mund të bashkoheshin edhe krahinat e tjera të vendit.
Pasi arriti t'i ndalonte malësorët të mos rekrutoheshin në repartet ndihmëse që kërkonte të ngrinte Porta, grupi i atdhetarëve shkodranë filloi të përgatiste truallin për kryengritjen. Por kapedani Bibë Doda, i cili si pasha merrte një rrogë të majme, u tremb nga zhvillimi i ngjarjeve dhe u tërhoq nga ndërmarrja. Kur ai, në pranverën e vitit 1862, duke plotësuar urdhrat e qeverisë, u mundua të rekrutonte disa reparte vullnetarësh, në Mirditë shpërtheu një konflikt i ashpër. Në këtë konflikt shumica e popullsisë u rreshtua kundër kapedanit, të cilin e akuzonte se donte të përfitonte në kurriz të saj, se edhe në fushatat e mëparshme kishte përvetësuar rrogat e vullnetarëve, se po i shpinte ata në një vdekje të sigurt etj. Në këto kushte ky u detyrua të largohej nga Mirdita dhe të kërkonte strehë e mbrojtje te valiu turk në Shkodër. Ndërkohë mirditasit sulmuan shtëpitë e pronat e kapedanit në Kallmet dhe u vunë zjarrin.
Njëkohësisht reparte të tjera ndërprenë rrugën Shkodër-Prizren. Gjendja u bë kërcënuese për Portën. Masa që mori ajo me arrestimin e abatit Gaspër Krasniqi, i cili ishte bërë udhëheqësi i lëvizjes në Mirditë, nuk e qetësoi, përkundrazi, e acaroi edhe më shumë gjendjen. Patriotët shkodranë nuk ngurruan të akuzonin Bibë Dodë pashën si "vrasës të popullit të tij" e qeverinë e sulltanit si "shtypëse të pamëshirshme të kombit shqiptar" dhe të vinin në dukje se Fuqitë e Mëdha, si Anglia e Austria, të cilat me politikën e tyre përkrahnin "një kufomë që quhet Turqi", ndihmonin për të mbajtur edhe më tej popullsitë e Ballkanit nën zgjedhën e Perandorisë Osmane.
Me gjithë fillimet e mbara, kryengritja në Mirditë nuk mori hov. Fitoret e rëndësishme që korri ushtria turke kundër malazezëve në qershor 1862, armëpushimi i arritur në gusht të atij viti dhe dështimi i projekteve për kryengritjen e përgjithshme në Ballkan i hoqën lëvizjes mundësinë e zhvillimit të mëtejshëm. Për më tepër, kundër saj ndërhyri tani edhe diplomacia austriake, e cila e shihte me shqetësim gjithnjë më të madh zhvillimin e ngjarjeve në Shqipërinë e Veriut. Hovi i kryengritjes ra. Pas disa kohësh Bibë Doda u kthye përsëri në Mirditë si kapedan-pashë.
Me përpjekjet e përfaqësuesve të kulturuar të borgjezisë për t'u lidhur me lëvizjen popullore kundërosmane dhe për ta organizuar e për ta drejtuar atë bëhej një hap i ri në lëvizjen kombëtare. Por lëvizja u projektua në një zonë të ngushtë, të banuar vetëm nga popullsi katolike, pa lidhje me krahinat e tjera dhe për më tepër u zhvillua vetëm në Mirditë, në një nga krahinat më të prapambetura të vendit.

Qëndresa kundërosmane e viteve 1867-1873

Orvatjet që bënte herë pas here Porta e Lartë për të zbatuar Tanzimatin në zonat e panënshtruara të vendit, ku ruheshin venomet tradicionale ose për të vendosur taksa të reja, që rëndonin në mënyrë të veçantë popullsinë, shoqëroheshin me konflikte të njëpasnjëshme. Në vitet 1867-1868 Porta ndërmori ekspedita të reja kundër krahinave të Lumës dhe të Malësisë së Gjakovës. Por zaptiet (xhandarët) turq që vajtën për të nxjerrë taksa e rekrutë u pritën me pushkë dhe u dëbuan nga popullsia e udhëhequr nga krerët Binak Alia e Shaqir Curri. Një farë suksesi patën autoritetet turke në Mirditë pas vdekjes së Bibë Dodë pashës më 1868; ato larguan për në Stamboll trashëgimtarin e tij të mitur Prengën dhe vendosën një kajmekam nga gjiri i familjes së kapedanit të vdekur, si dhe dy batalione ushtarësh. Megjithatë, Porta nuk mundi ta thyente qëndresën e mirditasve, të cilët, duke kërkuar që kjo trashëgimi të respektohej sipas zakonit, e mbrojtën për një kohë të gjatë autonominë e tyre. Më 1873 atje shpërtheu kryengritja e disa muaj më vonë ajo u shtri edhe në Dukagjin. Ekspedita osmane shtypi egërsisht popullsinë, por duke mos mundur ta nënshtronte atë u detyrua të tërhiqej.
Në vitin 1869, shtypja e ushtruar nga organet e Portës shkaktoi revolta në qytetet Pejë, Gjakovë e Prizren. Lëvizja mori përpjesëtime të mëdha veçanërisht në Shkodër. Pakënaqësia e shkodranëve shpërtheu atëherë kur valiu vendosi tri taksa të reja, veçanërisht "karagjymrykun". Tani fshatarët detyroheshin të paguanin 8 për qind të vleftës për çdo mall që çonin në qytet. Kjo taksë sillte shtrenjtimin e ndjeshëm të jetesës dhe dëmtonte veçanërisht shtresat e vegjëlisë. Me këtë rast borgjezia shkodrane paraqiti ankesat e vjetra kundër korrupsionit të valiut dhe të gjyqeve, si dhe kundër abuzimeve që bëheshin me monopolet shtetërore të kripës e të duhanit. Shkodranët dhanë kushtrimin dhe kërkuan ndihmën e malësorëve. Por autoritetet turke, duke nxitur fanatizmin fetar, ia dolën ta përçanin popullsinë qytetare dhe të largonin një pjesë të saj nga lufta. Megjithatë, malësorët i sulmuan forcat kryesore ushtarake që ishin përqendruar pranë qytetit në fushën e Shtojit, por pas një përleshjeje të ashpër me një armik më të madh në numër e të armatosur mirë, malësorët e pushuan zjarrin, duke lënë në fushën e luftës shumë të vrarë e të plagosur.
Po në vitin 1869 ndodhën turbullira në krahinën e Matit dhe në qytetin e Tiranës. Për shpërthimin e trazirave në Tiranë u bë shkak urdhri i qeverisë për të ndërtuar rrugën për në Durrës vetëm me shpenzimet e me punën e qytetarëve dhe të fshatarëve që ndodheshin buzë rrugës. Meqenëse paria feudale e qytetit e gjeti mënyrën për të shpëtuar nga çdo detyrim, e gjithë barra i mbeti vegjëlisë, e cila protestoi duke rrëmbyer armët, ndërsa zejtarët mbyllën dyqanet. Qëndresa nuk u ndërpre edhe pasi në përleshje me repartet ushtarake u vranë mjaft qytetarë dhe u internua një numër i madh udhëheqësish.
Më 1872 ushtria osmane që u dërgua në Dibër u thye me humbje mjaft të rënda. Të njëjtin fat patën orvatjet për të nënshtruar zonat malore të Kosovës në vitet 1872-1874. Në një letër të shkruar nga Prizreni në tetor 1873 thuhej se përballë ushtrisë së madhe turke, që po futej në Kosovë, shqiptarët nuk rrinin duarkryq. Ata, thuhej në letër, "dëshirojnë ta ndezin zjarrin dhe janë të vendosur të luftojnë e të qëndrojnë përballë ushtrisë turke pa marrë parasysh nëse do t'i ndihmojë ndokush ose jo. Ata kurrsesi nuk e pranojnë pushtetin turk dhe dëshirojnë të çlirohen nga ai". Edhe në malësitë e Kosovës, ashtu si në malësitë e tjera të Shqipërisë së Veriut, autoritetet turke ushtronin një pushtet formal, duke e kufizuar veprimtarinë e tyre vetëm në qytetet dhe në afërsitë e tyre.
Megjithëse të kufizuara e shpeshherë spontane, këto konflikte ishin rrëke që çonin ujë në shtratin e lëvizjes së përgjithshme kombëtare dhe i jepnin peshë çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.

_________________
Ca pika shiu rane mbi qelq,
Per ty une befas ndjeva mall,
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi sa rrallë.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit http://eja-ti.top-forum.net
Sponsored content




MesazhTitulli: Re: HISTORIA E RILINDJES KOMBETARE    Today at 12:57 am

Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
HISTORIA E RILINDJES KOMBETARE
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 2 e 2Shko tek faqja : Previous  1, 2

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
WwW.Eja-Ti.Tk :: (¯`♥´¯) SHKENCAT SOCIALE (¯`♥´¯) :: HISTORIA-
Kërce tek: